Ngjarje

Dy aksidente në 5 muaj, “Boeing” shpërfilli sigurinë për të ulur kostot

“Boeing”, kompania amerikane e prodhimit të avionëve për transport dhe një prej më të mëdhave në këtë treg është vënë në qendër të kritikave pas incidentit të fundit, kur modeli i saj “Boeing Max 8”, i “Ethiopian Airlines” u rrëzua duke vrarë të 157 personat në bord.

Aksidenti ishte i dyti në pesë muajt e fundit dhe ekspertët kanë nisur të heqin paralele mes tragjedisë etiopiane me atë të ndodhur në Indonezi me kompaninë “Lion Air”.

Kompania “Ethiopian Airlines” thotë se fluturimi ET302 u rrëzua në orën 08:44 minuta me orën lokale ditën e dielë, vetëm gjashtë minuta pasi ishte ngritur për fluturim nga aeroporti i kryeqytetit Addis Ababa. Destinacioni ishte Nairobi në Kenia. Para rrëzimit, piloti kishte raportuar probleme në manovrimin e mjetit dhe kishte kërkuar rikthimin në Addis Ababa.

I pyetur nga gazetarët nëse shkak i rrëzimit të avionit ishte një avari e ngjashme që shkaktoi rënien e avionit të “Lion Air” në Indonezi, drejtori ekzekutiv i Ethipian Airlines nuk e përjashtoi. Kompania nuk përjashton as mundësinë e një gabimi të pilotit, por e minimizon këtë mundësi nisur nga jetëshkrimi i tij, me mbi 8 mijë orë fluturim dhe pa asnjë incident.

Dyshimet përforcohen nga fakti që shikueshmëria ishte e mirë dhe moti i pastër. Por, Flightrada24, që monitoron trafikun ajror raportoi paqendrueshmëria në ruajtjen e kuotave nga ana e avionit pas ngritjes në fluturim.

Për disa ekspertë të sigurisë së transportit ajror, dy aksidente brenda 5 muajve ku përfshihet i njëjti model avioni i kompanisë “Boeing” janë shumë. Ata thonë se kompania ka neglizhuar sigurinë për të ulur kostot e prodhimit të mjetit, duke vënë në rrezik jetën e mijëra personave.

Vetë kompania pret përfundimin e hetimeve dhe nuk ka reaguar ende ndaj këtyre akuzave, ndërkohë që fill pas këtij incidenti, Kina dhe Etiopia kanë pezulluar fluturimet e të gjithë avionëve Boeing Max 8. I njëjti model u rrëzua edhe në Indonezi në nëntor të vitit të kaluar. Hetimet e mëvonshme nxorrën në pah një avari të rënduar, ku paketat kompjuterike refuzonin komandat e pilotëve dhe e përplasën avionin në detin e Javas.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë