Ngjarje

Durrës, izolohen 4 mjekë dhe infermierë që patën kontakt me 75-vjeçaren e prekur

Rasti më i rëndë i prekur nga koronavirusi është ai i 75-vjeçares nga Durrësi, e cila sipas burimeve gjendet në sallën e Reaminacionit. Ndërkohë që është marrë vendimi i izolimit të 4 mjekëve dhe infermierëve, si edhe stafit që kanë pasur kontakte me të sëmuren, e cila fillimisht ishte ankuar për problemet e saj kronike dhe nuk e kishte rrëfyer se ishte kthyer nga Italia. Gjithashtu mësohet se mjekët kanë marrë dhe kryer kontrollet e specializuara edhe për familjarët e 75-vjeçares që kishte ardhur nga Italia në 25 shkurt.
Mjeku Pëllumb Pipero tha në emisionin “Opinion” se rasti i Durrësit ishte një gabim, por që sipas tij një gjë e tillë është bërë edhe në Itali dhe mund të ndodh kudo. “Dje ju kam thënë lani sa më shesh duart, sot po ju them kufizoni lëvizjet. Edhe në Itali rasti i parë u konstatua pas 5 ditësh. Nëse në Durrës është bërë i njëjti gabim, është njerëzor, kudo mund të ndodhte”, theksoi Pipero.

Mjeku Pëllumb Pipero. Foto arkiv, Gazeta “Si” 11 mars 2020


Ndërsa mësohet se 75-vjeçarja nuk është izoluar menjëherë, por që ka qëndruar në spital dhe me pacientë të tjerë. Pas 5 ditësh në spital ajo u konfirmua me koronavirus. Të afërmit e saj kanë thënë se kanë qëndruar me të infektuarën, ndërsa janë ankuar për përgjigjen e stafit mjekësor duke evidentuar edhe se në numrin 127 ju kanë thënë se nuk ka tampon për t’i kontrolluar nëse e kanë marrë edhe ata virusin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë