Kombetarja

Durmishaj i papërmbajtshëm, mposht Lilën dhe i çon një sinjal Panuçit

Në kohën kur kombëtarja shqiptare e futbollit po vuan për të gjetur qetësi në repartin e sulmit për shkak të dëmtimeve të shumta dhe disa lojtarëve që janë jashtë formës fizike, është dikush që nuk po ndalet së shënuari. Bëhet fjalë për talentin shqiptar Florin Durmishaj. 22-vjeçari që luan në kampionatin grek me Panionos ka shënuar sërish, por këtë herë në një ndeshje të vlefshme për Kupën e Greqisë.

Ashtu si pak ditë më parë që gjeti rrugën e rrjetës ndaj Pas Janinës së Andi Lilës në kampionat, Durmishaj shënoi edhe këtë herë. Bomberi kuqezi e gjeti rrugën e rrjetës këtë herë me anë të një penalltie në minutën e 24’. Goli i sulmuesit shqiptar ishte vendimtar, pasi e mbajti rezultatin në barazim dhe mund të jetë i rëndësishëm për kalimin e kësaj faze nga Panionos.

Durmishaj në eliminatoret e fundit ishte pjesë e rëndësishme e kombëtares U-21 të Alban Bushit, ndërsa tashmë prej tij pritet hapi final drejt kombëtares A. Këtë sezon Dyrmishaj përveçse është sumues titullar në formacionin e Paninos ka shënuar edhe disa gola. Pesë herë e ka gjetur rrugën e rrjetës në kampionat sulmuesi vlonjat dhe një herë në Kupë, duke pasur një rendiment të kënaqshëm.

Nëse do të vijojë me këtë formë edhe në javët e ardhshme nuk do të ishte çudi nëse do e shikonim Durmishajn të thirrej nga Panuçi në ekipin kombëtar A për ndeshjet e muajit mars.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë