Kombetarja

Duka zgjedh Xakeronin, pritet vetëm firma me ish-trajnerin e Milanit

Nga njëri italian te tjetri. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, është i fiksuar pas trajnerëve italianë dhe duket se ka zgjedhur Alberto Xakeronin si pasues të Kristian Panuçit. Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, sipas "Procesit Sportiv", është takuar në fshehtësi me ish-trajnerin e Milanit dhe gjasat janë të mëdha që marrëveshja të konkretizohet shumë shpejt. Trajnerit të njohur italian i është propozuar një kontratë 1-vjeçare, me të drejtën e zgjatjes edhe për një vit tjetër.

Xakeroni është një emër i madh i trajningut, jo vetëm në Itali, ku ka drejtuar ekipe si Udineze, Milan (kampion i Italisë), Inter, Lacio, Torino dhe Juventus, ekipe të elitës. Trajneri 66-vjeçar ka drejtuar së fundi Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa më parë ka qenë në stolin e Japonisë. Ka drejtuar edhe në Kinë, por jo kombëtaren. Pra, bëhet fjalë për një trajner me shumë përvojë, ndryshe nga Panuçi. Te Shqipëria me siguri do të bënte një punë më të mira se paraardhësi i tij.

Xakeroni, kur drejtonte Milanin

Pas shkarkimit të Kristian Panuçit, në skenë dolën emrat e disa kondidatëve për të marrë drejtimin e stolit kuqezi, si Edi Reja, Safet Sushiç, Bensik Hasi, Arjan Peço etj. Emri i Xakeronit nuk ishte përmendur asnjëherë dhe duket se presidenti Duka ka punuar në fshehtësi. Për të mos përsëritur gabimin me Panuçin, ai ka zgjedhur një trajner me shumë eksperiencë, që të jetë në gjendje ta mbledhë ekipin dhe ta drejtojë në eliminatoret e Euro 2020. Xakeroni do të ishte trajneri i katërt italian në krye të Shqipërisë, pas Dosenës, De Biazit dhe Panuçit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë