Futboll

Duka thellon fushatën, mbështetje edhe nga kreu i federatës angleze

Presidenti i Federatës shqiptare të Futbollit vijon me intensitet fushatën për t’u zgjedhur anëtar i komitetit ekzekutiv të UEFA-s. Kjo tentativë e dytë e Armando Dukës për të hyrë në qeverinë europiane të futbollit, po duket më serioze. Numri një i FSHF-së ka ndërmarrë një seri takimesh me personalitete të futbollit në kontinent. Edhe takimi i ditës së premte me kreun e Federatës Angleze të Futbollit, Greg Klark, këtë temë kishte si fokus kryesor.

Duka priti presidentin e federatës angleze në zyrat e FSHF, por edhe në ish-kompleksin Dinamo, ku kanë parë nga afër kompleksin e ri që po ndërtohet aty për kombëtaren dhe federatën.
Më tej Armando Duka ka shoqëruar Greg Klark në kantierin e stadiumit “Arena Kombëtare”, ku kanë parë nga afër ecurinë e punimeve. Duka në fjalën e tij të shkurtër para medieve nuk foli shumë për çështjen e zgjedhjeve në UEFA dhe kandidaturën e tij, por më tepër u fokusua në eksperiencën që mund të marrë FSHF nga FA.

"Është një vizitë që na ndihmon, shkëmbim eksperience. Kemi shumë për të mësuar nga Federata angleze. Jam i kënaqur që ajo na jep mbështetje, edhe për zgjedhjet e ardhshme në UEFA. Shkëmbimi i eksperiencës, duke parë edhe një realitet ndryshe nga Anglia, është një eksperiencë për presidentin e federatës angleze".- tha Armando Duka.

Ndërkohë kreu i federatës angleze të futbollit, Klark ka dalë hapur në mbështetje të kandidaturës së Armando Dukës në zgjedhjet për anëtarë të komitetit ekzekutiv të UEFA-s. “Erdhëm për të vizituar miqtë tanë dhe për të parë punët që ka bërë Federata Shqiptare. Mbështesim kandidaturën e zotit Duka për anëtarë të KE.” u shpreh presidenti i FA, Greg Klark.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë