Në një intervistë të dhënë për mediet italiane, konkretisht për “Tuttomercatoweb”, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur kryesisht për Euro 2020, por ai është pyetur edhe për punën e trajnerit të Kombëtares, Edi Reja. Duka e ka vlerësuar punën e trajnerit italian dhe ka pohuar se shtatori është shumë i rëndësishëm për kuqezinjtë, pasi janë ndeshjet me Hungarinë dhe Poloninë.
“Me trajnerin Reja po bëjmë një punë të mirë nga të gjitha anët. Ai po ndihmon shumë jo vetëm me Kombëtaren e madhe, por edhe me ekipet kombëtare të të rinjve, nga U-15-a deri tek U-21-shi. Dua të them se edhe me rezultatet po bëjmë mirë. Arritëm të fitojmë grupin në Ligën e Kombeve, pavarësisht mungesave dhe vështirësive nga Covid-19.

Edhe kualifikueset i kemi nisur mirë, kemi 6 pikë pas tri ndeshjesh të luajtura, një kundër Anglisë në Tiranë. Duhet të theksoj faktin se shtatori është shumë i rëndësishëm për ne, sepse do të luajmë kundër Polonisë në transfertë dhe Hungarisë e San Marinos në shtëpi”, – është shprehur Duka mes të tjerash.
Kreu i FSHF-së është pyetur edhe për kalimin e Granit Xhakës te Roma e Kumbullës: Graniti është një mesfushor i shkëlqyer, me shumë cilësi, që u konfirmuan edhe në Europian. Pamë paraqitje të shkëlqyera dhe një lider që dinte si ta drejtonte skuadrën në momente të vështira, si në suksesin kundër Francës. Pa dyshim që do të ishte një vlerë e shtuar për Serinë A dhe për Romën, që besoj se do të zhvillojë një kampionat të mirë këtë sezon”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.