Kombetarja

Duka njofton ndryshime te kombëtaret: Panuçit t’i japim kohën e duhur

Në prag të dy ndeshjeve me Skocinë dhe Uellsin, presidenti FSHF ka vizituar kompleksin e ri të kombëtares që është në ndërtim e sipër. Gjatë inspektimit të punimeve, të asaj që është quajtur si “shtëpia e re e kombëtares”, Duka ka thënë se ndërtimi i këtij kompleksi është një investim shumë i rëndësishëm për futbollin në vend. Numri një u qeverisë së futbollit shqiptar tha se bashkë më stadiumin kombëtar, kjo qendër do të jetë një vlerë e shtuar, që do i shërbejë shumë futbollit vendas.

“Stadiumi që jemi duke ndërtuar plotëson të gjitha kushtet për mediat dhe të gjithë. Është një prezantim dinjitoz jo vetëm i futbollit, por edhe Shqipërisë në tërësi. Mezi po presim që ta inaugurojmë në vitin 2019. Gjithashtu edhe kjo ku jemi është e rëndësishme si projekt i shtëpisë së futbollit shqiptar. Projekti është i financuar 100% nga FIFA.”- tha Duka.
Më tej në këtë dalje të tij është pyetur nga gazetarët për dy ndeshjet e radhës të kombëtares. Sipas Armando Dukës në rast të një fitoreje me Skocinë në “Loro Boriçi”, kjo fushatë nuk mund të konsiderohet e dështuar, duke kërkuar që t’i jepet më shumë besim trajnerit italian.
“Duhet të fitojmë me Skocinë dhe nëse ia dalim, mendoj se edicioni nuk mund të quhet dështim. Bilanci i Panuçit bëhet pas dy ndeshjeve, tani nuk flasim dot. Panuçi do mbështetje nga të gjithë, nëse fitojmë me Skocinë edicioni nuk është dështim”.- u shpreh kreu i FSHF.
Në fjalën e tij presidenti i FSHF-së ka folur edhe për një rinovim të stafeve drejtuese në ekipet kombëtare të moshave.
“Do ketë një analizë në fund të kualifikueseve, por mund të ndryshohen të gjithë.”- ka paralajmëruar Armando Duka.

https://www.youtube.com/watch?v=mEzLceZqOp4&t=6s
Projekti për “shtëpinë e kombëtares” që është duke u ndërtuar në zonën ku ndodhej ish-kompleksi Dinamo

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë