Kombetarja

Duka kritikon lojtarët e Kombëtares: Hynë në fushë si gjeneralë

Zhgënjimin e madh për humbjen e Kombëtares ndaj Lituanisë nuk e ka fshehur as presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Ai ndoqi nga afër ndeshjen e Shpresave ndaj Andorës në Elbasan dhe pas saj, në një prononcim për mediet, thumboi futbollistët kuqezi, duke theksuar se ata u futën si gjeneralë në fushë. Duka u shpreh se Shqipëria nuk është një skuadër e madhe

“Kombëtarja zhgënjeu jo vetëm me rezultat, por edhe me lojën që zhvilloi në fushë. Nuk mendoj se ishte vetëm për shkak të lodhjes ajo lojë. Ka të bëjë koncentrimi për të vlerësuar çdo lloj kundërshtari, na penalizoi vetëkënaqësia. Gjithsesi, duhet të shikojmë përpara. Të vazhdojmë të jemi pretendentë për ta udhëhequr grupin, por tani na duhet të fitojmë në Kazakistan dhe në Lituani.

Sadiku gjatë ndeshjes me Lituaninë. Gazeta Si, 9 shtator 2020

Ajo paraqitje nuk i ndodh vetëm Shqipërisë, u ndodh rëndom skuadrave që pas euforisë të një fitoreje të mos kenë përqendrimin e duhur. Që të jesh skuadër e madhe, duhet të kesh përqendrimin e duhur. Pikërisht për këtë nuk jemi skuadër e madhe. Nëse hyjmë në fushë si gjeneralë, patjetër që do të dalim të turpëruar”, - theksoi Duka mes të tjerash. Ai vlerësoi ndërkohë paraqitjen e Kombëtares U-21, që i ka fituar dy ndeshjet e fundit, duke bërë një lojë mjaft të mirë.

Presidenti i FSHF-së foli edhe për shtyrjen e kampionatit: “Duam të shikojmë futboll ço ditë, jo njëherë në javë. Uroj që kampionati të luhet, ndërsa ekipet kanë vendimmarrjen e tyre”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë