Futboll

Duka: Krenar për finalen, mundësi për evente të tjera

Gazeta Si - Armand Duka, presidenti i FSHF-së, doli sot në një konferencë shtypi enkas për finalen e Ligës së Konferencës. Ai foli me krenari për organizimin e këtij eventi.

Duka u shpreh se UEFA ka përshtypjet më të mira: “Interesi ka qenë i madh për eventin e rëndësishëm. Kam vetëm fjalë të mira dhe përqafime. Jam me krenari këtu me një pjesë të organizatorëve.

Ishte një ndeshje që transmetua direkt në 155 vende të botës dhe u ndoq nga 400 milionë tifozë. Askush nuk do ta mendonte se Shqipëria dhe FSHF-ja do të kishin të tilla aftësi për të përmbyllur një event të këtyre përmasave”.

Armand Duka. Gazeta Si, 26 maj 2022

Presidenti Armand Duka kishte një mesazh edhe për ata që nuk besonin në fillim: “Shumë ishin skeptikë, kur aplikuam për finale, konsiderohej një ironi. Finalja erdhi dhe bota u përqendrua në Tiranë.

U dhamë përgjigje atyre që menduan se nuk mund të organizojmë një finale të tillë. Kemi pritur delegacione dhe president federatash, sponsorë, partnerë. Të gjithë janë larguar me mendime pozitive.

Kemi pritur legjenda të futbollit botëror, si Boniek, Saviçeviç, Toti, Tomason, Van Persi, Shuker, Kandela e të tjerë. Kemi pritur 20.000 tifozë në stadium dhe më shumë se 20.000 jashtë. Tani e kuptojmë sa krenarë duhet të jemi të gjithë.

Falenderoj të gjithë ata që kontribuaun në organizimin e eventit. Policia bëri punë të mrekullueshme, po ashtu qeveria dhe bashkia Tiranë.

Nuk bëj servilizma, por kryemistri ka qenë aktiv në organizim. Ka pritur ankesat tona, ndaj duhet ta falenderoj publikisht. Qeveria u tregua e zgjuar, që e bëri pushim ditën e ndeshjes. Falenderoj edhe vullnetarët”.

Presidenti i FSHF-së u shpreh gjithashtu se kjo përvojë pozitive u hap dyert eventeve të tjera: “Që pas ceremonisë filluam të diskutonim për një kompeticion tjetër. Championsi është i pamundur për shkak të kapacitetit të stadiumit.

Për Superkupën e Europës, apo Europian të rinjsh, janë të gjitha mundësitë. Doja opinione pozitive për Shqipërinë dhe e shijoj këtë sukses si qytetar shqiptar, jo si president i FSHF-së”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë