Kombetarja

Duka ik, merre edhe Panuçin!

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka prekur fundin me humbjen 0-4 ndaj Skocisë dhe tashmë vetëm një revolucion rrënjësor mund ta shpëtojë atë, duke nisur me kreun e FSHF-së Duka dhe trajnerin Panuçi, për të vazhduar me një pjesë të lojtarëve.

Vetëm 14 minuta zgjati ndeshja e shumëpritur me Skocinë për Shqipërinë, sepse nga ky moment kuqezinjtë ia bënë gjithcka të thjeshtë skuadrës mike për të marrë një fitore të thellë në stadiumin “Loro Boriçi”. Xhaka tregoi besim të tepruar dhe humbi një top në një zonë të rrezikshme, që solli golin e parë të skocezëve me Frajzer. Gjithsesi, është një gabim që mbetet brenda logjikës së lojës. Krejtësisht jashtë logjike ishte veprimi i Mavrajt. Kapiteni i Shqipërisë goditi me kokë një lojtar kundërshtar, duke merituar kartonin e kuq në minutën e 21-të. Gjithçka e bërë keq nga mbrojtësi kuqezi, që para ndeshjes kishte polemizuar në distancë me trajnerin Panuçi pas deklaratës së këtij të fundit në lidhje me komunikimin e munguar në fushë nga ekipi. Pas gabimit në Izrael, ku goli i parë u pësua pikërisht për faj të Mavrajt, tani vjen edhe ky gabim shumëfish më i rëndë i kapitenit, që ndoshta nuk e bën dot “trajnerin në fushë” të Shqipërisë, sepse nuk e ka atë “prerje”.

Në disavantazh të një goli dhe me një lojtar më pak, Shqipëria e ka të pamundur të reagojë. Për t’i dhënë goditjen përfundimtare skuadrës kuqezi mendoi arbitri rus, i cili akordoi një penallti për Skocinë për një prekje të topit me dorë nga lojtarët e murit gjatë ekzekutimit të një goditje dënimi. Protesta të kuqezinjve, ndërsa Fleçer godet saktë nga pika e pardhë dhe 0-2. Ndeshja këtu ka përfunduar, ndërsa për të thelluar disfatën kuqezi ka menduar Forrest, i cili në pjesën e dytë ka shënuar dy herë në portën e Berishës, duke e çuar rezulatin në 0-4. Një mbrëmje e errët në Shkodër, ku tifozët prisnin fitoren, madje kishte dhe nga ata që ëndërronin edhe shumë gola.  

Panuçi me ekipin

Shqipëria mbyll kështu në mënyrën më të shëmtuar aventurën e saj në Ligën e Kombeve, me 3 pikë në 4 ndeshje. Një paraqitje katastrofike e skuadrës sonë përfaqësuese, që ka humbur identitetin e saj dhe situata duhet analizuar më thellë, duke nisur nga “koka”. Trajneri Kristian Panuçi është drejt largimit nga drejtimi i Kombëtares sonë, pasi është shumë e qartë se nuk e ka skuadrën nën kontroll. Që në momentin që është në krye të saj, asnjëherë nuk ka bindur, edhe kur fitonte miqësoren me Turqinë 2-3, apo kur kemi mundur Izraelin në Elbasan. Shqipëria e Panuçit asnjëherë nuk ka treguar stabilitet.Nuk ka çfarë të japë më. Jo më kot i gjithë stadiumi "Loro Boriçi" shpërtheu kundër tij.

Italiani që mori drejtimin e kuqezinjve pas De Biazit, nuk ka treguar asnjëherë se ka një strategji të caktuar për të ardhmen e Shqipërisë. Ka provuar lojtarë pa fund në Kombëtare, por kurrë nuk mundi të krijonte boshtin, tek i cili do të mbështetej për të pasur një ekip solid. Shumë specialistë kanë vënë në pikëpyetje edhe aftësitë e tij teknike, përveçse kanë kundërshtuar hapur mënyrën e sjelljes së tij në raport me futbollistët. Kjo humbje 0-4 ishte kapitullimi i tij, por edhe i atij që e solli në krye të Kombëtares, presidentit të FSHF-së, Armand Duka. Ishte ai që zgjodhi në krye të skuadrës përfaqësuese një trajner pa përvojë dhe arrogant, pse jo dhe “sharlatan”, siç e quajti ish-presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Pasi ka lënë që futbolli në Shqipëri të degradojë, tashmë presidenti Duka ka humur edhe Kombëtaren, që e ka ka pasur gjithmonë “pikë të dobët”, kështu që nuk ka më asnjë arsye për të vazhduar në krye të qeverisë së futbollit shqiptar.

Duka dhe Panuçi gjatë prezantimit

Kristian Panuçi e mori drejtimin e Kombëtares kuqezi në korrik të 2017-ës dhe mbylli eliminatoret e Botërorit të Rusisë. Debutoi në stolin e Shqipërisë me fitoren 2-0 ndaj Lihtejnshtejnit, më pas barazoi me Maqedoninë në transfertë dhe u mund nga Spanja dhe Italia. Pas asaj shkëndije në fitoren 2-3 me Turqinë në miqësore, kuqezinjtë kanë pësuar disfata të njëpasnjëshme në disa ndeshje testuese, me Norvegjinë, Kosovën dhe Ukrainën, duke pësuar një thes me gola.Kritikat ishin të shumta, por atëherë trajneri italian justifikohej me faktin se po punonte për të ndërtuar të ardhmen, duke bërë një revolucion te kuqezinjtë. Fitorja me Izraelin i dha të drejtë, por vetëm për momentin, sepse më pas Shqipëria është mundur nga Skocia, Izraeli dhe tashmë sërish nga Skocia, duke vulosur dështimin e bashkëpunimit Duka-Panuçi. Liga e Kombeve ishte një dështim total për Kombëtaren. Vendi i fundit në grup dhe një kategori më poshtë, në Ligën D. Duka ik, merre edhe Panuçin!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë