Futboll

Duka: Gjithë Shqipëria fiton nga finalja e Ligës së Konferencës

Gazeta Si - Finalja e Ligës së Konferencës po bën jehonë jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë Europën. Veçanërisht në Itali dhe Holandë, vendet e dy skuadrave finaliste, Romës dhe Fejnordit.

Për këtë ndeshje ka folur sërish presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Në një intervistë për “Corriere dello Sport”, ai ka theksuar se nga finalja e Ligës së konferencës fiton e gjithë Shqipëria, jo vetëm futbolli.

Ja dhe intervista e plotë e presidentit Duka për gazetën prestigjioze italiane:

Armand Duka, president i FSHF-se. Gazeta Si, 23 maj 2022

President, si është atmosfera në qytetin e Tiranës për finalen?
Ne të gjithë jemi vërtet të emocionuar. Kjo ndeshje për ne ka nisur që para një viti, me inspektimet e ekspertëve të UEFA-s. E gjithë Shqipëria do të ketë mundësinë të përfitojë nga pritja e një eventi të këtij niveli.

Si arritët të bindnit UEFA-n që t’ju japë finalen?
Ne kishim tentuar më parë të merrnim organizimin e Superkupës së Europës. Në përpjekjen e dytë ia dolëm mbanë.

Megjithatë, stadiumi është i vogël. Ka pasur pakënaqësi nga tifozët…
Vërtet është i vogël, por është një xhevahir i vërtetë. Edhe përfaqësuesit e klubit të Romës, kur erdhën për ta vizituar, u befasuan nga ambienti që të ofron ky impiant. Fatkeqësisht, nuk do të ketë vend për të gjithë.

"Air Albania", ku do luhet finalja e Ligës së Konferencës më 25 maj. Gazeta Si, 23 maj 2022

Duket se një problem tjetër është rritja e çmimeve të hoteleve dhe apartamenteve me qira, me anulime që bëhen me qëllimin për të fituar sa më shumë para…
Kjo historia e anulimeve të rezervimeve mua më duket si një legjendë urbane. Nga ana tjetër, për çmimet e kuptoj: nëse shkon në Paris për finalen e Champions League, ose në Milano për panairet, ndodh e njëjta gjë.

UEFA ka shpërndarë shumicën e biletave të finales për publikun shqiptar.
Në fakt, ky është një avantazh për Romën, sepse shumë shqiptarë kanë blerë bileta për miqtë e tyre italianë.

Pra, edhe ju do të bëni tifo për Romën apo jo?
Sigurisht. Madje, që nga fillimi i edicionit të UEFA Conferenca League. Shpresoj të jetë klubi italian që të fitojë trofeun, ndonëse finalet nuk janë kurrë të parashikueshme. Mjafton të shikojmë çfarë ndodhi në finalen e Europa League, Eintracht-Rangers. Por Murinjo ka lojtarin më të fortë.

Cilin?
Kumbullën, sigurisht. Shpresoj që ai të luajë në këtë finale, është një nga shtyllat e Kombëtares sonë.

Të ndalemi pak te futbolli shqiptar, cila është arsyeja që prej dhjetë vitesh keni zgjedhur vetëm trajnerë italianë për Kombëtaren?

Sepse janë të disiplinuar, shumë të përgatitur në aspektin taktik dhe e njohin mirë mentalitetin tonë. Me ta gjithashtu nuk kemi as problemin e gjuhës.

Edi Reja, trajenri i Kombëtares. Gazeta Si, 23 maj 2022

Pra, do të vazhdoni përpara me Edi Rejën?
Sigurisht. Ai ka besimin tonë. Është për të ardhur keq nuk u kualifikuam për shumë pak në play-off-in e Kupës së Botës: na penalizoi ajo humbje ndaj Polonisë.

Në Itali ka një grup të madh futbollistësh shqiptarë që duket se kanë një perspektivë të mirë.
Tashmë po, por nuk më habit kjo. Në vendin tuaj janë 130 mijë shqiptarë që luajnë futboll, një shifër e ngjashme me ata që luajnë këtu në Shqipëri.

A ka ndonjë talent shqiptar që pret të shpërthejë?
Armando Broja, sulmues i Çelsit i vitlindjes 2001. Ai tashmë ka treguar aftësi të shkëlqyera në Sauthemptonin, ku është në huazim dhe tashmë po shënon edhe me kombëtaren shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë