Kombetarja

Duka flet për trajnerin e ri: E kam takuar Rejan pas ndeshjes me Turqinë

Fitorja 0-3 me Andorrën duke sikur ktheu disi atmosferën e qetë në kombëtaren shqiptare pas asaj humbje shokuese në “Loro Boriçi” me Turqinë. Pas kësaj ndeshje për kombëtaren është një çështje shumë e rëndësishme e hapur. Shumë shpejt drejtuesit e Federatës duhet të zgjedhin trajnerin e ri të ekipit dhe stafin e ri drejtues që do të vazhdojë këtë fushatë eliminatore. Lidhur me këtë çështje dhe jo vetëm, ka folur presidenti i FSHF-së, Armando Duka. Në një prononcim për supersport, kreu i futbollit shqiptar është shprehur shumë i kënaqur për fitoren në Andorrë, pasi duhej për të ngritur moralin e ekipit.

“Jam i kënaqur me rezultatin dhe nuk e mendoja të lehtë as unë e askush. Do të isha kënaqur edhe me rezultat minimal, por me 3-0 jam edhe më i kënaqur. Sapo kemi filluar, kemi bërë dy ndeshje, mund të kishim më shumë se tre pikë. I gjithë edicioni është para, kemi transfertë shumë të vështirë në Islandë, kemi për të kompletuar stafin për të ndërtuar një staf nga e para dhe për të përgatitur ekipin pas Islandës pastaj të shohim.”

Duke u ndalur në çështjen e nxehtë të trajnerit të ri të kombëtares, Duka u shpreh se ende nuk ka emra konkret në tavolinë që mund të marrin drejtimin e ekipit kombëtar të Shqipërisë. “Nuk kam menduar asgjë për trajnerin, nuk kam pasur mundësinë të mendoj më shumë se siç e dini ishim në një situatë emergjente për të përgatitur ndeshjen e sotme me ish-asistentin. Dua ta komplimentoj se e drejtoi ekipin mirë, do të fillojmë të mendojmë, nuk kemi shumë ditë për të vendosur për të përgatitur skuadrën për ndeshjet e ardhshme. Kemi humbur me Turqinë, por është grup i vështirë, të gjithë do të humbin. Nuk duhet të qahemi për Turqinë, kemi mundësi në grup dhe jam i sigurt që një nga ekipet e grupit do të ngecë në këtë fushë.”

Në emra të përveçëm, kur u pyet për Edi Rejan, Duka tha se e ka takuar atë pas ndeshjes me Turqinë, por se vizita e tij në Shkodër nuk kishte të bënte me çështjen e trajnerit të ri. Sipas Dukës, Reja i ka shprehur atij vështirësitë që paraqet arritja e europianit me këtë ekip aktual që ka kombëtarja. “E kam takuar pas ndeshjes me Turqinë, kam diskutuar me të si e pa skuadrën. Nuk ishte qëllimi që ishte i pranishëm për të qenë trajneri. Fola me të si e pa ndeshjen. Në bisedë e sipër më tha që kjo është skuadra shqiptare, me këtë që pashë është e vështirë. Ai e dinte që kemi emra, por në fushë me Turqinë nuk dhanë gjë. Nuk është se ka një propozim në tavolinë me ne dhe është e vështirë”, tha Duka.

Gjithashtu në intervistën e tij kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit nuk ka mohuar edhe mundësinë e drejtimit të kombëtares nga një trajner shqiptar. “Pse jo, unë mendoj që mund të ketë trajnerë shqiptarë që mund të drejtojnë kombëtaren. Shumë e mirë është që çdo kombëtare të drejtohet nga trajner vendas që e njohin mentalitetin e ambientin e tij. Fakti që nuk kemi pasur trajner të tillë është se kemi pasur avantazhe të tjera që mund të sillte një trajner me më shumë eksperiencë ndërkombëtare. Duhet vendosur në peshorë avantazhi e disavantazhi i trajnerit shqiptar e të huaj. Kjo e trajnerit të ri nuk është e lehtë, por gjithsesi një trajner që do të ulet në tavolinë nuk do të jetë i interesuar për një marrëveshje gjashtëmujore, jo vetën për atë, por edhe për ne.”- është shprehur Duka ndër të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë