Futboll

Duka flet për trajnerin e ri, dhunën dhe stadiumin e Shkodrës

Nga Shkodra, ku ishte i pranishëm në inaugurimin e një ambienti të ri sportiv në bashkëpunim me “Lorik Cana Foundation”, presidenti i FSHF-së, Armando Duka ka folur edhe për disa nga çështjet më të rëndësishme të futbollit shqiptar. Tema e parë që lidhet edhe me qytetin e Shkodrës, kishte të bënte me stadiumin e “Loro Boriçi”. Prej disa vitesh, që pasi u rikonstruktua, “Loro Boriçi” ka qenë nën administrimin e FSHF-së, por Duka u shpreh se shumë shpejt impianti 17 mijë vendesh do t’i kalojë bashkisë Shkodër.
“Jemi në procesin e dorëzimit të stadiumit te bashkia e Shkodrës për ta menaxhuar ajo “Loro Boriçin”. Punë ditësh përfundon gjithçka”- tha Duka pas takimit me kryebashkiaken e Shkodrës, Voltana Ademi.

Një tjetër temë që po mban në ankth të gjithë tifozët e futbollit në Shqipëri është edhe çështja e trajnerit të ri të kombëtares. Duka për herë të parë ka dhënë një afat se kur do të kemi zyrtarisht emrin e trajnerit të ri të ekipit kuqezi. Sipas numrit një të futbollit shqiptar, brenda muajit prill do të mësojmë emrin e ri të teknikut të kombëtares. “Kam thënë që në prill do të emërohet. Jemi në 12 prill, muaj nuk ka mbaruar. Javës tjetër besoj se do të kemi caktuar jo vetëm trajnerin, por krejt stafin teknik kuqezi. Ata do të jenë gati për të përgatitur ndeshjen e radhës.”

Sakaq për çështjen e fundit të Superligës dhe rastet e përsëritura të dhunës, Duka tha se të gjithë duhet të punojnë për të maksimalizuar arritjet brenda fushës së lojës. “Duhet që çdo individ t’i shfrytëzojë për zhvillimin e kësaj loje dhe jo për të kundërtën. Është fundi i kampionatit dhe të gjithë duan të marrin maksimumin, por harrojnë që maksimumi merret në fushën e lojës dhe duhet sa më tepër angazhim brenda saj për ta finalizuar me sukses sezonin. Kjo nuk vlen vetëm për Superioren, por të gjitha kampionatet që organizon FSHF.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë