Futboll

Duka flet me shifra: Mbi 100 milionë euro të ardhura nga finalja

Gazeta Si - Finalja e Ligës së Konferencës ka shtuar ndjeshëm interesin e tifozëve dhe atë mediatik. Mbrëmja e së mërkurës do të jetë speciale për Tiranën dhe shqiptarët. Kryeqyteti do të presë për herë të parë në histori një finale. Për këtë event ka folur sërish presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

Kreu i futbollit shqiptar ka theksuar se finalja e 25 majit do të jetë një imazh i shkëlqyer për Shqipërinë. Duka ka folur edhe për të ardhurat e mëdha që i sjell vendit një ndeshje e tillë.

Armand Duka, president i FSHF-së. Gazeta Si, 21 maj 2022

“Është një nga eventet më të rëndësishme të futbollit europian. Është më e rëndësishme që mbahet në Tiranë, sepse është hera e parë që organizohet Liga e Konferencës. Do të shënohet në histori se finalja e parë e këtij eventi është zhvilluar në Shqipëri”, - tha Duka për ‘Abc news’.

Për organizimin e finales, Duka u shpreh: “Nuk e kisha imagjinuar që do të kishte kaq shumë punë për organizimin. Duam të jetë një ndeshje perfekte jo vetëm në stadium, por në të gjithë komponentët. Puna fillon që nga aeroporti e përfundon në stadium.

Janë marrë masat në kohë dhe çdo gjë është sipas planifikimeve. Çdo aktor në Shqipëri, nga aeroporti, Policia e Shtetit e me radhë ka një rol shumë të rëndësishëm. Çdo njeri që të shkelë në Shqipëri, duhet të largohet i kënaqur.

Nuk kemi eksperiencë për pritjen e një numri kaq të madh vizitorësh në një ditë. Gjithsesi, me ata që udhëheqin operacionin, pra ekspertët e UEFA-s, mendoj që çdo gjë do të shkojë mirë.

Janë tifozë, disa prej tyre mbase ultras dhe kujdesi duhet të jetë maksimal. Mbase pika më e vështirë që mund të kemi është qarkullimi i dendur, trafiku që mund të krijohet. Me masat që ka marrë qeveria, duke e shpallur ditë pushimi dhe pa makina, shpresoj të mos e kemi këtë problem”.

"Air Albania", stadiumi i finales. Gazeta Si, 21 maj 2022

Duka vlerësoi bashkëpunimin me qeverinë dhe bashkinë e Tiranës për organizimin e finales. Ai preku çështjen e biletave dhe më tej foli me shifra konkrete për të ardhurat që i sjell vendit kjo ndeshje.

“UEFA ka ruajtur një lloj standardi. Biletat e ndeshjes së Tiranës nuk janë të larta në krahasim me ndeshjet e tjera europiane. Më e shtrenjta është 125 euro, më e lira 25 euro.

Mënyra e shpërndarjes së biletave është e tillë, që minimizon abuzimin apo influencën e tregut të zi. Ato janë elektronike, nuk mund të kalojnë në shumë duar. Ka masa të shtuara për të eliminuar rritjen fiktive të çmimeve.

Ka pasur kritika për rritjen e çmimeve. Të gjithë do donin që hotelet të kishin të njëjtat çmime, por kur kërkesa është më e madhe se sa oferta, çmimet rriten. Ky nuk është një fenomen që ndodh në Tiranë.

Kostot janë të mëdha. UEFA i mbulon kostot jo nëpërmjet stadiumit, por nëpërmjet të ardhurave që vijnë nga sponsorët apo të drejtat televizive. Për të ardhurat që krijon vendi flitet për shifra mbi 100 milionë euro.

Nuk mund të ketë një gjë të llogaritur fiks, por duke pasur parasysh të gjithë të ardhurat që sjellin njerëzit në Tiranë apo biznesi që llogaritet të ndodhë rreth këtij eventi, mund të jenë shifra të përafërta të tilla”, - tha presidenti i FSHF-së, Duka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë