Kombetarja

Duka flet me emra: Donadoni do ishte një emër i madh për ne

Çështja e trajnerit të ri të kombëtares shqiptare është një nga temat më të nxehta në futbollin shqiptar. Me largimin e Panuçit prej një jave është hapur një ankand i vërtetë për emrin e trajnerit që do të marrë drejtimin e ekipit kuqezi. Ai që ka folur këtë herë për trajnerin është presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Për herë të parë Duka ka pranuar që ka nisur negociatat me disa trajnerë të huaj.

“Deri tani kemi folur me shumë trajnerë, por ende asgjë. Janë lakuar emra të ndryshëm në media dhe shumë prej tyre janë të vërtet duke qenë se kemi folur me shumë trajnerë. Përpara se të zgjidhnim Panuçin, folëm edhe me Di Kanion, por këtë herë jo. Nuk mund ta mohoj se kam biseduar me trajnerë shqiptarë dhe të huaj. Gjatë këtyre ditëve do të konkretizojmë ndonjë gjë më shumë”- ka thënë Duka, në emisionin "opinion".

I pyetur për dy nga emrat më të përfolur, Donadoni dhe Reja, kreu i FSHF-së ka thënë se bëhet fjalë dy trajnerë shumë të mëdhenj që do i bënin nder ekipit tonë. “Donadoni është emër i madh për ne. Nëse arrijmë ta bindim, mund të jetë trajner. Me Rejan kam folur në Shkodër, por nuk e kam pyetur për Shqipërinë. Edi Reja është një trajner shumë i mirë, sikurse janë edhe disa të tjerë, por nuk kam bërë asnjë bisedë konkrete.”

Më herët kreu i federatës nuk kishte përjashtuar edhe disa emra të tjerë, të njohur shqiptarë dhe të huaj që mund të marrin drejtimin e ekipit kuqezi. Duka nuk përjashtoi nga gara as dy trajnerët shqiptarë me shumë eksperiencë, Arian Peço dhe Besnik Hasi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë