Kombetarja

Duka fajëson Strakoshën, dënon Memën për ngjarjen e Fushë-Krujës


Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, mori pjesë sot në ceremoninë e prezantimit të sponsorit të ri të Kombëtares, “Vodafone”. Ai ka folur pas prezantimit për dy tema të nxehta të momentit: lënien jashtë të portierit Tomas Strakosha nga trajneri Kristian Panuçi për çështje disiplinore, si dhe për kaosin pas ndeshjes Kastrioti-Tirana, ku u godit trajneri Ardian Mema.

Për çështjen e Strakoshës, Duka u shpreh pro vendimit të Panuçit, pasi disiplina është parësore në ekip: “Atmosfera në Kombëtare është e mirë. Jemi thuajse 100% gati. Ndeshja me Turqinë është shumë e rëndësishme dhe duhet mbështetje për ekipin. Duhet t’i fillojmë sa më mbarë eliminatoret e Europianit. Strakosha? Është lojtar i rëndësishëm, me kualitet, por disiplina është lojtar edhe më i rëndësishëm. Kam folur me trajnerin dhe di që portieri nuk kishte arsye objektive të mungonte. Duhet respektuar orari, siç bëjnë të gjithë shokët e ekipit. Kombëtarja humb teknikisht, por fiton në disiplinë. Mund të jetë një mësim edhe për Strakoshën, që Kombëtarja është mbi gjithçka”, - tha presidenti i FSHF-së, Duka.

Duka gjatë prezantimit të sponsorit të Kombëtares

Numri 1 i futbollit në Shqipëri preku edhe ngjarjen e Fushë-Krujës, duke u shprehur se Mema nuk duhej të ishte futur në fushë: “Ngjarja e Fushë-Krujës është ndryshe nga ajo e Kamzës, me atë që pashë dhe sa kanë raportuar zyrtarët e ndeshjes. Për Kamzën u tha pse policia private nuk ndërhyri për të ndaluar zyrtarët apo tifozët që shkuan drejt arbitrit, ndërsa për Fushë-Krujën thuhet pse policia ndaloi trajnerin e Tiranës. Kam respekt për Memën, por ai gaboi, duke hyrë në fushë. E di që nuk do ta godiste arbitrin, por rregullorja e ndalon një veprim të tillë, kur je ndëshkuar me karton të kuq.

Stadiumi i Fushë-Krujës nuk i plotëson të gjitha kushtet. Policia ndaloi trajnerin e Tiranës të shkonte tek arbitri dhe kërkoi që futbollistët të shkonin në dhomat e zhveshjes për të parandaluar ndonjë ngjarje si ajo e Kamzës. Në fushë nuk pati dhunë. Klubet duhet të jenë përgjegjës për organizimin e ndeshjes, kurse policia për sigurinë. Me policinë kemi rënë dakord të bashkërendojmë, kemi propozuar një marrëveshje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë