Kombetarja

Duka e bën të qartë: Shqipëria do një nga dy vendet e para në grup!

Gazeta Si - Armand Duka, presidenti i FSHF-së, kërkon një mandat të dytë në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Zgjedhjet zhvillohen më 5 prill dhe ai shpreson që edhe për 4 vjet të tjera të jetë pjesë e këtij organizmi.

Në një intervistë për ‘Top Channel’, kreu i FSHF-së për këtë çështje u shpreh: “Të qenit anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s është një eksperiencë e re për mua. Është edhe një ngarkesë, duke pasur parasysh që 4 vite nuk kanë qenë të zakonshme. Ka pasur ngjarje të jashtëzakonshme, si pandemia dhe lufta në Ukrainë.

Armand Duka, president i FSHF-se. Gazeta Si, 21 shkurt 2023

Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së më ka propozuar përsëri për të qenë kandidat për një mandat të dytë 4-vjeçar në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Kandidaturat janë zyrtarizuar. Janë kontrolluar edhe nga Komitetet e domosdoshme për t’u quajtur të ligjshme. Janë 11 kandidatura nga 11 vende të Europës për 7 vende. Gjatë 4- vjeçarit, angazhimi im në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s ka qenë 100% dhe besoj se kjo do të vlerësohet me notë pozitive nga 55 vendet anëtare”.

Duka ka folur edhe për Kombëtaren në prag të eliminatoreve të Europianit: “Nga e dita e parë kemi emëruar stafin e ri teknik të Kombëtares, me në krye Silvinjon, impenjimi i tyre ka qenë 100%. Silvinjo dhe stafi i tij janë gjithë kohës full-time në Federatë. Ata kanë kontaktuar e takuar pothuajse të gjithë lojtarët, duke i vizituar nëpër skuadrat e tyre.

Grumbullimin e Kombëtares duan të mos e bëjmë më në Durrës, por në Tiranë. Këtë herë duhet të jemi ndryshe dhe duhet të jemi gati për t’u kualifikuar në Europian. Në futboll është shumë e rëndësishme të mendosh për ndeshjen e radhës dhe ndeshja jonë më e rëndësishme është Polonia më 27 mars.

Menduam për të organizuar një miqësore me Uzbekistanin përpara sfidës së parë zyrtare. Thuajse kishim përfunduar gjithçka, por ditët e fundit Uzbekistani nuk ka sjellë një konfirmim dhe nuk jam i sigurt nëse do të bëhet ajo ndeshje apo jo.

Skuadra është në nivel të kënaqshëm, grupi është më i balancuar se sa më parë, sepse nuk kemi kundërshtarë të nivelit të Anglisë, por kjo nuk do të thotë se jemi kualifikuar në Euro 2024. Ne kemi bërë maksimumin, futbollistët duken të motivuar nga takimet dhe informacionet që kam marrë nga stafi i Kombëtares.

Kërkojmë të sfidojmë një nga dy vendet e para për të qenë pjesë e Europianit, pra të renditemi të parët ose të dytët. Nuk duhet të mendojmë që lufta fitohet ose humbet vetëm me Çekinë dhe Poloninë. Duhet të kemi shumë kujdes, pasi kemi eksperienca të hidhura me ekipe që janë konsideruar të vogla.

Çekia dhe Polonia janë skuadra të niveleve të larta. Polonia mori pjesë në finalet e Botërorit dhe mbase ka më shumë eksperiencë për të mos bërë hapa falsë. Ne duhet të kemi shumë kujdes”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë