Kombetarja

Duka: Do luftojmë të kalojmë grupin në Gjermani, ja pse Silvinjo do 23 lojtarë në listë!

Gazeta Si – Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit ka folur së fundi për Kombëtaren dhe përgatitjet e Europianit 2024. Për emision sportiv “Sport Elite” në Kosovë, ai ka theksuar mes të tjerash se kuqezinjtë do tentojnë të kalojnë grupin. Duka foli dhe për çështjen e listës me 23 apo 26 lojtarë.

“Edicioni kualifikues ka qenë për mua fantastik, më i miri i bërë nga ekipi Kombëtar, që na ka dhuruar kënaqësinë më të madhe. E mbylli në vendin e parë dhe u kalifikua për herë të dytë në finalet e Europianit. ka dhuruar gjithashtu edhe spektakël, rezultate shumë të mira kundër ekipeve që nuk i kishim bërë kurrë në histori, si Çeki dhe Polonia. Na ka dhuruar gola të bukur, emocione pa fund.

Jam mirënjohës të gjithë atyre që e bënë realitet këtë gjë, ekipit, stafit drejtues, trajnerit Silvinjo. Ky është një ekip Kombëtar dhe jo një ekip shtetëror dhe gjithashtu u jam shumë mirënjohës tifozëve që e kanë mbështetur pa kursim” – tha Duka për kualifikueset.

Për ndeshjet në grup të Gjermani 2024, kreu i FSHF-së shtoi: “Duhet të shohim përpara, ta shijojmë dhe ta gëzojmë atë që kemi arritur. Të shohim çfarë mund të bëjmë në Gjermani. Për momentin dua të them që ne jemi duke punuar shumë fort të gjithë bashkë. Ta shijojnë të gjithë dhe pse jo të luftojmë për të kaluar grupin.

Jemi të ndërgjegjshëm për atë që kemi përballë, për forcën e Italisë, Kroacisë dhe Spanjës, edhe ne kemi një skuadër të mirë, që bëri shumë mirë në kualifikuese. Nuk di të them se sa pikë do të marrim, por di të them që do të bëjmë maksimumin që nga ndeshja e parë kundër Italisë”.

Duka komentoi edhe çështjen e listës me 23 apo 26 lojtarë dhe zgjedhjen e Silvinjos për të mos pasur zgjerim të listës: “Në Gjermani është bërë një mbledhje e trajnerëve pjesëmarrës në Euro 2024. Kanë diskutuar dhe janë konsultuar, sepse ka pasur kërkesa që UEFA të ndryshojë numrin limit të futbollistëve.

U diskutua teknikisht dhe di edhe faktin që Silvinjo, pavarësisht se nuk ka qenë pjesë e diskutimit, do që të mbetet me 23 futbollistë në listë. Nuk është i vetmi. Të gjitha këto mendime do të mblidhen dhe do të vijnë për miratim në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s në mbledhjen e 22 majit në Dublin. Nëse do të jap mendimin tim, do të mbështes atë çka mendon trajneri i Shqipërisë.

Argumentat e tij janë që mund të menaxhohen më mirë dhe më me rezultat 23 futbollistë gjatë gjithë përgatitjeve për Europianin. Nuk do të heqë futbollistë për t’i lënë në tribunë, që mund të prishin edhe atmosferën e skuadrës, por do të jenë të gjithë aktivë në fushë dhe stol”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë