Kombetarja

Duka besimplotë: Të fortë kur luajmë si grup, e treguam me Poloninë

Gazeta Si – Me një postim në faqen e tij zyrtare, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka treguar emocionet e sfidës së sotme me Çekinë. Ai ka theksuar se është besimplotë për fitore, sepse Shqipëria është shumë e fortë kur luan e bashkuar, siç bëri me Poloninë një muaj më parë.

Kreu i futbollit shqiptar ka vlerësuar dhe rolin e tifozëve në këtë ndeshje, duke bërë njëkohësisht thirrje për të treguar respekt, siç bënë çekët në Pragë gjatë ndeshjes së parë.

“Kjo e enjte e 12 tetorit është një nga ditët më të rëndësishme për Kombëtaren tonë dhe për të gjithë shqiptarët. Luhet ndeshja Shqipëri–Çeki, një nga më emocionueses e grupit tonë.

Dita ka filluar me ankth dhe shumë emocione për duelin që do luhet në ‘Air Albania’. Fitore, barazim dhe humbje. Janë tre rezultate në lojë. Dhe sigurisht që në këto raste skuadra që do të ndjejë më pak presionin dhe që do të menaxhojë më mirë emocionet, merr një rezultat pozitiv.

Unë jam besimplotë, që pavarësisht ekipit të mirë dhe shumë fizik që kanë çekët, ne gjithashtu kemi kualitetin për ta fituar këtë ndeshje. Dhe e kemi treguar në këtë rrugëtim, që kur luajmë së bashku si një grup, jemi shumë të fortë. E treguam këtë gjë edhe në ndeshjen e 32 ditëve më parë, ndaj Polonisë po në këtë stadium, ku fituam 2-0.

Për ne nuk është një ndeshje vendimtare, një sfidë ‘jetë a vdekje’. Presioni është mbi ta. Ne duhet vetëm që të menaxhojmë sa më mirë. Dhe jam i sigurt që me mbështetjen e tifozëve tanë mund t’ia dalim. Sonte duhet të festojmë të gjithë së bashku. Një thirrje kam edhe për tifozët tanë të dashur: të jenë bashkëpunëtorë, të na mbështesin dhe mos të hedhin sende apo mjete piroteknike në fushë. Është në dëmin e të gjithëve.

Gjithashtu, të respektojmë sa më shumë ata tifozë që vijnë sonte nga Çekia. Në Pragë u pritëm të gjithë shumë ngrohtë nga populli çek. Të jemi sa më miqësorë me ta, sepse fundja ditës, ne shqiptarët njihemi për mikpritjen. Forca Shqipëria!”, - shkruan presidenti i FSHF-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë