Kombetarja

Duka: Asllani një Modriç i vogël, s’është çudi nëse kalojmë grupin në Europian

Gazeta Si – Në një intervistë për ‘Sportitalia’, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka folur për gjithë lojtarët e Kombëtares që luajnë në Itali. Më së shumti ai është fokusuar te Kristjan Asllani, i cili po kalon një moment të shkëlqyer me Interin.

“U gëzova shumë për golin e parë të Asllanit me Interin. Ka punuar shumë dhe mendoj se e ka merituar plotësisht këtë moment të bukur, aq më tepër që rivalizon me lojtarë të kalibrit të Çalhanoglu në mesfushën e Interit, apo yje të tjerë.

Kristjani është ende i ri, ka potencial të jashtëzakonshëm, aftësi të larta teknike dhe cilësitë e duhura për t’u bërë lojtar i madh. Po shkëlqen me Interin dhe kjo dëshmon qartë se është një talent i madh. Shpresoj të vazhdojë me këtë ritëm dhe të luajë sa më shumë, të rritet dhe të jetë në formë për Gjermani 2024. Kam një këshillë: le ta shijojë këtë moment, por të qëndrojë i përulur.

Transferimi në moshë të re ne një klub të madh si Interi kishte shumë risqe, por ai ia ka dalë. Ka treguar durim dhe maturi të madhe, duke punuar shumë dhe duke pritur shanset. Tashmë ka pjekurinë për të luajtur rregullisht me Interin dhe me paraqitjet e fundit e ka vënë “nën presion” trajnerin Inzaghi.

Asllani gëzon një formë të mirë dhe meriton më shumë minuta. Jo më kot e kam krahasuar atë me një yll të futbollit. E kam fjalën për Luka Modriç. Objektivi i tij primar është të bëhet titullar tek Interi dhe mendoj se është në rrugën e duhur”, - ka thënë Duka për Asllanin, lojtarin më të mirë të momentit nga kuqezinjtë.

Asllani shenon ndaj Xhenoas. Gazeta si, 6 mars 2024

Pastaj edhe një mendim për ‘italianët’ e tjerë: “Berat Gjimshiti është kapiten i Kombëtares, shiritin e ka merituar plotësisht. Ai është një djalë i shkëlqyer dhe një futbollist i nivelit botëror, ka karakteristikat e një lideri të vërtetë. Nuk habitem me rendimentin e tij. Është një nga shtyllat kryesore të Kombëtares.

Kumbulla? Më vjen mirë që është rikthyer në fushë pas atij dëmtimi të rëndë. Është një nga të rinjtë me perspektivë të Kombëtares shqiptare, një futbollist i rëndësishëm për ne. Besoj se mori vendimin e duhur për t’u transferuar te Sasuolo, për të rigjetur formën e mëparshme dhe për të qenë gati për finalet e Euro 2024”.

Ndeshjet e grupit në Euro 2024 ishin një tjetër temë, për të cilën Duka ka theksuar: “Shqipëria duhet ta shijojë në maksimum këtë pjesëmarrje në Euro 2024. Lojtarët dhe stafi teknik kanë bërë një punë të shkëlqyer në kualifikuese dhe e kanë merituar këtë sukses.

Shkojmë në Euro 2024 për të bërë maksimumin dhe për të sfiduar çdo kundërshtar, pavarësisht së përballë kemi emra të mëdhenj. Është e kotë të flasësh për forcën e këtyre kundërshtarëve. Në futboll surprizat janë të zakonshme dhe nuk do të ishte çudi, nëse Shqipëria kalon grupin. Do kemi dhe mbështetjen e pakursyer të tifozëve tanë fantastikë, si në Euro 2016”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë