Kombetarja

Duka analizon sërish suksesin kuqezi: Do të jemi një Shqipëri e madhe në Gjermani

Gazeta Si – Kreu i FSHF-së, Armand Duka, ka folur sërish në lidhje me ecurinë shumë të mirë të Kombëtares shqiptare. Në një intervistë për ‘News 24’, ai ka prekur shumë çështje që kanë të bëjnë me kuqezinjtë.

“Të jesh tifoz i Kombëtares shqiptare të jep shumë emocione, të bën të papërmbajtur. Në detyrën e presidentit e shton edhe më shumë kënaqësinë, apo emocionin që dhuron një ndeshje futbolli. Ajo që ka dhuruar Kombëtarja ka qenë vërtet fantastike, kundër kundërshtarë shumë të fortë. Kur mendon se do të shkosh në një kompeticion kaq të madh, sa Euro 2024, është legjitim gëzimi.

Silvinjo, stafi i tij dhe Duka gjate prezantimit. Gazeta Si, 20 tetor 2023

Ka qenë shumë emocionues kualifikimi në Euro 2016, pasi ka qenë për herë të parë në histori, por në këto kualifikuese kemi qenë më bindës. Kemi rezultate fantastike, kemi humbur vetëm një ndeshje. Paraqitja e ekipit ka qenë vërtet bindëse, gola shumë të bukur, spektakël, spektakël në shkallet e stadiumit.

Tani nuk na mbetet gjë tjetër vetëm që ta shijojmë, por duhet të marrim edhe një pikë. Festa për skuadrën besoj se ka përfunduar, jam i bindur që skuadra e kupton që festa është pasi ta marrim atë pike. Nuk shkojmë me matematikë as në Moldavi e as kundër Ishujve Faroe”, - ka theksuar Duka.

Më pas ai ka folur për festën e madhe në Shqipëri, por edhe në Kosovë: “Çdo shqiptar që ndihet shqiptar, gëzohet. Çdo qytetar edhe i Kosovës, pasi më shumë se 90% e tyre janë me kombësi shqiptare, e ndjejnë shumë, mbase më shumë se ne. Ne kemi bërë bashkë lojtarët që vijnë nga të gjithë trojet shqiptare, i kemi bërë bashkë për sa kohë i kemi sjellë në stadium, për më tej ato duhet t’i shohin vetë punët e tyre”.

Për Silvinjon: “Vendosëm për Silvinjon, por asnjëherë nuk mund të jesh i sigurt, sepse janë shumë gjëra që ndikojnë në rezultat, nuk mjafton vetëm trajneri. Jam shumë i gëzuar pasi mund të themi që është një “bast i fituar”, rezultatet nuk kanë ardhur rastësisht. Kemi një skuadër të mirë, me çuna me talent që janë shumë të lidhur me fanellën.

Drejtimi dhe organizmi i punës nga Silvinjo dhe nga stafi i tij ka qenë shumë i mirë. Përgatitja, padyshim edhe skema, talenti etj, ka sjellë këto rezultate, por e thashë nuk jemi ende në Europian”.

Për skuadrën: “Nuk e kam zakon të flas me emra të përveçëm, por nuk rri pa e thënë që janë dy emra që kanë bërë diferencën: Asani me golat fantastikë që ka shënuar dhe mbrojtësi i majtë Mitaj, një djalë i ri me talent. Pjesa tjetër e ekipit është e njohur për ne. Gjimshiti është një djalë fantastik, përveçse është simpatik. Një futbollist i nivelit të lartë, i nivelit botëror. Një figurë e kompletuar 100%.

Goli që Bajrami ka shënuar në Çeki ka qenë fantastik. Është një djalë fantastic. Sportistët kanë tekat e veta në lidhje me pozicionin, Bajrami nuk ka asnjë lloj pretendimi. Mendoj që është një nga kualitetet më të mira që kemi në skuadër. Asllani? Një ekip i niveleve të larta si Inter nuk mund të marrë një lojtar që nuk ka kualitet. Ka qenë lider në ekipin U-21, në ndeshjen e fundit ka qenë fantastik”.

Dhe një koment për çështjen Broja: “Të vërtetën e ka sqaruar vetë trajneri. Ne nuk mbajmë asnjëherë të fshehta, e kemi për detyrë të themi të vërtetën. Nuk jam mjek të them se sa ka qenë shkalla e dëmtimit, por futbollisti ka ardhur në ekip për të luajtur për dy ndeshjet e radhës. Pasi ka dalë në stërvitje ka ndjerë dhimbje në gjurin e majtë dhe i ka thënë trajnerit që jam i pamundur për të luajtur.

Pastaj Çelsi ka kërkuar që futbollisti të kthehet urgjent të kurohet në Londër. Për sa kohë nuk ishte i gatshëm për të luajtur, dhe përderisa Çelsi dhe futbollisti mendonin se kjo ishte më e mira, ne nuk mund ta pengonim. Nuk është se ka një çështje Broja-Silvinjo. Broja nuk është nga ata që krijon çështje, është një djalë që flet pak me gojë, por shumë me këmbë”.

“Ne do të jemi një Shqipëri e madhe në Gjermani, jo një Marok i vogël”, - ka thënë po ashtu presidenti Duka, duke iu referuar asaj çfarë kuqezinjtë mund të bëjnë në Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë