Kombetarja

Duka analizon 2023-shin: Europiani ‘qershia mbi tortë’, pozitivë për të vazhduar me Silvinjon

Gazeta Si – Nuk ka dyshim që 2023-shi është një vit shumë pozitiv për Kombëtaren shqiptare. Rezultatet flasin vetë dhe të gjithë janë të lumtur për atë që po bëjnë kuqezinjtë e udhëhequr nga trajneri Silvinjo.

Entuziast është edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili e quan 2023-shin nga më të sukseshmit për futbollin shqiptar. Në një intervistë për “Klan News”, mes të tjerash ai ka theksuar se Europiani do të jetë ‘qershia mbi tortë’.

Presidenti i FSHF-së, Duka, dhe stafi i Kombëtares. Gazeta Si, 5 nentor 2023

‘Padyshim që viti 2023 është një nga më të suksesshmit e futbollit shqiptar për të gjitha ngjarjet, zhvillimet, aktivitetet. Më të rëndësishme janë organizimet që ka bërë FSHF në Shqipëri, në disa turne të ekipeve kombëtare, rreth 10 turne.

Por ‘qershia mbi tortë’ është ajo që është edhe më e prekshme, më e dashur, që mbështesin më shumë të gjithë shqiptarët, janë rezultatet dhe performanca fantastike e Kombëtares. Performanca kryesisht e ekipit A dhe rezultatet e tij. Në total ky vit është nga më të suksesshmit e historisë së futbollit shqiptar. Presim dhe dy ndeshje për ta vënë vërtet ‘qershinë mbi tortë’ për 2023-shin.

Nuk është një sukses individual, jo vetëm sepse futbolli është lojë kolektive, por sepse kjo është motoja e punës time. Unë punoj në ekip. Vërtet jam zgjedhur zëvëndëspresident i UEFA-s, por është rezultat i punës në grup”, - tha Duka mes të tjerash.

Kreu i FSHF-së komentoi edhe dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Kombëtares me Moldavinë dhe Ishujt Faroe: “Objektivi ishte të vinim në dy ndeshjet e fundit në luftë për t’u kualifikuar për në Gjermani 2024. Tashmë kemi arritur më mirë, na duhet vetëm një pikë. Para se të fitonim ndaj Polonisë dhe Çekisë, unë, ekipi dhe i gjithë stafi ishim të lumtur, nëse do të realizonim objektivin për të ardhur para këtyre dy ndeshjeve në një klasifikim të tillë.

Pasi fitores me Çekinë kam menduar që çdo gjë u mbyll, por çdo ditë që kalon aq më tepër preokupohem dhe them që jo, nuk është mbyllur. Luajmë në Moldavi ndaj një kundërshtari shumë të fortë dhe të organizuar, që nuk ka humbur asnjë ndeshje. Duhet impenjim maksimal për të marrë një biletë për në Gjermani. Nesë vërtet do ta vlerësojmë maksimalisht, mund të bëjmë mirë dhe pse jo të marrim një pikë të paktën në Moldavi për ta vulosur kualifikimin.

Nuk kemi pse bëjmë matematikë, nuk kemi pse të luajmë për një pikë, do të luajmë për më shumë, do të luajmë për të qenë të parët në grup dhe për të vulosur një sezon, apo një vit 2023, si më të mirin në historinë e Shqipërisë”.

Për lojtarët e rinj në Kombëtare, Duka u shpreh: “Politika jonë ka qenë gjithmonë që çdo lojtar shqiptar duhet të luajë për Shqipërinë. Nuk kemi afruar në Kombëtare futbollistë që nuk flasin shqip, apo nuk janë me origjinë shqiptare. Të gjithë e kanë derën e hapur.

Kemi kualitete shumë të mira, që deri tani nuk kanë vendosur për të përfaqësuar Kombëtaren shqiptare. Kemi lojtarë që luajnë me Kombëtare U-21, që janë vetëm pak centimetra afër ekipit A. Kemi lojtarë në Itali shumë të talentuar të moshave të reja, në Gjermani. Të gjithë i kemi ftuar, do të vazhdojmë t’i ftojmë dhe t’i rikujtojmë që duhet të luajnë për Shqipërinë”.

Rinovimi me Silvinjon? “Për të qenë i sinqertë, asnjëherë nuk kam diskutuar me Silvinjon. Ai nuk ka kërkuar të bisedojmë dhe as ne, sepse kemi qenë të përqendruar në objektivin që kemi. Mendimi jonë është pozitiv, por kjo është diçka që duhet të diskutohet në tavolinë. Nuk kemi një klauzolë automatike për rinovim. Jemi pozitivë për të vazhduar”, - pohon Duka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë