Kombetarja

Duhen gola, Panuçi shton “gjuajtësit” kundër Skocisë

Fatjon Rupi - Shqipërisë i duhet një mrekulli për t’i mbyllur ndeshjet në grup në vend të parë, sepse jo gjithçka varet prej saj. Së pari kuqezinjtë duhet të fitojnë bindshëm në Shkodër ndaj Skocisë, për të shpresuar më pas që kjo e fundit të na bëjë një tjetër nder, duke mundur Izraelin disa ditë më vonë.Shqipëria ka 3 pikë dhe mban vendin e fundit në grup.

Trajneri Kristian Panuçi e di shumë mirë që në stadiumin “LoroBoriçi” duhet fitorja me çdo kusht, e pohoi edhe vetë në konferencë shtypi. Llogaritë i ka bërë pa Hysajn dhe Bashën të skualifikuar, si dhe Lenjanin e Ndojn të dëmtuar. Ai pritet të hedhë në fushë lojtarët më të mirë të momentit, por sigurisht që formacioni do të jetë i prirur për të sulmuar. Formacionin anti-Skoci e kanë mbajtur “peng” lojtarët me probleme fizike, mbi të gjithë Eros Grezda. Lojtari i Gllasgou Rejnxhërs qëndroi dy ditë veç grupit, por ia doli të ushtrohej me topin në testin e parë dhe pritet të jetë në fushë nga minuta eparë. Jashtë do të jetë për shkak dëmtimi mesfushori Emanuele Ndoj, që ndryshe nga Grezda, nuk e kaloi dot testin.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë ndaj Skocisë

Trajneri italian ka thënë më parë se Shqipëria është më e familjarizuar me skemën me 4 mbrojtës dhe kështu pritet ta nisë ndeshjen ndaj Skocisë. Dilema e vetme është Veseli apo Lila në krah të djathtë të mbrojtjes, me të parin të favorizuar për të marrë vendin e Hysajt. Të sigurt janë Gjimshiti, Mavraj dhe Binaku përpara Strakoshës, të gjithë në formë të mirë dhe me ta në prapavijë trajneri italian ka siguri.

Kjo do të thotë se në mesfushë ai mund të shtojë lojtarët që shohin më shumë drejt portës kundërshtare, apo ata që gjuajnë nga distanca. Të tillë janë Taulant Xhaka dhe Ergys Kaçe (të dy kanë shënuar nga distanca me fanellën kuqezi), që do të vendosen përpara mbrojtjes, por edhe ata do të shtyjnë sa më shumë përpara, ashtu si dhe Ledian Memushaj. Vlonjati do të jetë pak më përpara, pas sulmuesit kryesor, Bekim Balajt ose Rei Manajt. Më shumë mundësi ka i pari, që është më i fortë fizkisht dhe mund ta çajë mbrojtjen shtatlartë të skocezëve. Në krahë të sulmit do të jenë Eros Grezda dhe Myrto Uzuni. Beratasi bindi në Izrael dhe Panuçi do t’i besojë sërish. Nga Grezda dhe Uzuni priten krosimet në zonë për Balajn, por edhe depërtimet e tyre drejt qendrës, për të goditur portën dhe për të krijuar hapësirë për lojtarët e tjerë.

Trajneri Kristian Panuçi gjatë seancës së fundit stërvitore

Në këtë ndeshje mund të kenë shansin të luajnë edhe lojtarë si Dermaku apo Ismajli në mbrojtje dhe Vrioni apo Ademi në sulm. Shanset e kuqezinjve për fitore në këtë ndeshje shtohen nga fakti se kundërshtari vjen me shumë mungesa titullarësh, me në krye sulmuesin Najsmith, i cili na ndëshkoi në Gllasgou. Shqipëria, duke shfrytëzuar edhe faktorin fushë, jo vetëm duhet ta fitojë këtë 90-minutësh të fundit të Ligës së Kombeve, por edhe duhet të shënojë sa më shumë gola.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë