Kombetarja

Dualizmi Strakosha-Berisha, italianët ngrenë në qiell portierin e Lacios

Fakti që Tomas Strakosha ishte titullar në të dyja ndeshjet e fundit të Kombëtares, nuk i ka shpëtuar syrit të shtypit sportiv italian. Prestigjiozja “La Gazzetta dello Sport” i ka kushtuar një artikull dualizmit të portës kuqezi, ku thekson se portieri i Lacios tashmë ka bërë të tijën edhe fanellën e titullarit të Shqipërisë, duke ia “vjedhur” atë Berishës. Ja çfarë shkruhet në artikull:

Tashmë Tomas Strakosha ka bërë të vetën gjithçka. Portieri 24-vjeçar i Lacios është kthyer titullar te Shqipëria. Trajneri Edi Reja ka preferuar atë para Etrit Berishës për ndeshjet me Francën dhe Islandën, të vlefshme për kualifikueset e Europianit 2020. Por, para ndeshjes me Islandën Berisha ka pasur edhe një problem muskulor, që ka vënë në dyshim serioz edhe rikuperimin e tij për ndeshjen Spal-Lacio. Me shumë mundësi, dy portierët shqiptarë do ta shmangin ballafaqimin mes tyre në Serinë A këtë fundjavë. Të dy i lidhin edhe sezonet që kanë qenë pjesë e Lacios. Tre vjet më parë, ikja e Berisha tek Atalanta i hapi rrugën Strakoshës, i cili u bë portieri i dytë, pas Marketit, për të marrë më pas vendin e titullarit.

Strakosha, Berisha, Hoxha dhe trajneri i tyre në Kombëtare, Ilir Bozhiqi. Gazeta Si, 12 shtator 2019

Pas 11 muajsh, Strakosha luajti me Shqipërinë në fitoren 2-0 ndaj Izraelit, më 14 tetor. Kjo ishte ndeshja e tij e fundit si titullar me kuqezinjtë, më pas në stol si zëvendësues i Berishës dhe me një raport jo të lehtë me Panuçin. Me ardhjen e Rejas te Shqipëria, Strakoshës iu krijuan mundësi të tjera. Ai pati hapësirë në kombëtaren shqiptare pas një vere më të vështirë se sa ishte parashikuar, për shkak të atij dëmtimi të pësuar që në fundin e sezonit të shkuar. Strakosha iu bashkua Lacios në fazën e dytë të përgatitjeve të sezonit, nga sfida e 2 gushtit me Burnemuthin, e para e miqësoreve të Lacios për atë periudhë. Ai u kthye mes shtyllave, duke qenë i kujdesshëm për dëmtimin që kishte pësuar. Trajneri Reja i ka njohur të dy, si Strakoshën, ashtu edhe Berishën, që nga koha kur drejtonte Lacion. Tani Strakosha ka hipur sërish në trenin e ambicieve me Lacion dhe me Shqipërinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë