Dosje

Zbërthehen pamjet, droni i spiunëve rusë të kapur në Gramsh filmoi repartin RENEA dhe Liqenin e Bovillës

Gazeta Si - Në njërin prej dronëve lëvizës të kapur dy rusëve dhe ukrainasit në uzinën ushtarake të Gramshit gushtin e shkuar, ka pasur mes të tjerash pamje të repartit special të policisë, RENEA.

Nga burime paraprake, mësohet se grupi hetimor në Elbasan e ka nxjerrë këtë përfundim pas ekspertizës së mjeteve të sekuestruara Mikhail Zorinit, Svetlana Timofleevas dhe Fedir Alpatovit.

Materialet e gjetura, tregojnë se të dyshuarit për spiunazh gjatë qëndrimit në Shqipëri, kanë forografuar e filmuar objekte të rëndësisë së veçantë si Reparti Special i Policisë, RENEA, ujëmbledhësi i Bovillës, repartet ushtarake, rafineria e naftës në Patos apo digat e hidrocentraleve.

Menjëherë pas arrestimit të tyre, teksa po fotografonin ambientet e Uzinës së Armëve në Gramsh, policia dhe Prokuroria shqiptare u sekuestroi atyre celularë, aparate fotografike, dhe dronë të pajisur me mjete fotografimi e filmimi.

LEXO EDHE:
- Uzina e Gramshit është një gërmadhë me ushtarë që nuk ka as energji elektrike
- ‘Lojë spiunësh’, a mundet që Rusia të ekstradojë Svetlana Timofeevan?
- ‘Spiunët rusë me role të ndara’, fotografuan dhe baza të tjera ushtarake në gusht. Ja pse erdhën këtë radhë

Këto pajisje u dorëzuan për ekspertim në ditët e para të muajit gusht, ndërkohë që specialistët tashmë duket se kanë përfunduar kqyrjen e tyre. 

Hetuesit thanë se nga këqyrja e dronit, është zbuluar se në memorjen e tij kishte pamje të disa institucioneve dhe reparteve të rëndësisë së veçantë në Shqipëri.

Nga ana tjetër, hetuesit janë në pritje të përgjigjes së ekspertizës për një tjetër dron të sekuestruar, por edhe aparateve celularë dhe pajisjeve të tjera që iu kapën tre të arrestuarve, të dyshuar si spiunë.

Shtetasit rus Mikhail Zorin dhe Svetlana Timofleeva dhe ukrainasi Fedir Alpatov u arrestuan në gusht të vitit të kaluar, teksa u përpoqën të hynin në territorin e uzinës së armëve në Gramsh, i kthyer në një gërmadhë, pasi njëri prej tyre sulmoi me spray djegës ushtarët, që ruanin objektin, teksa ata po mundoheshin ta kapnin.

Ata kanë përsëritur se janë blogerë në rrjetet sociale të pasionuar pas industrive të vjetëruara dhe publikojnë vazhdimisht fotografi nga uzina dhe fabrika ku arrijnë të hyjnë.

Në dosjen e prokurorisë, 2 ushtarët shqiptarë në Gramsh, të cilët u sulmuan në uzinën e armëve, thuhet se ata kanë ndjerë djegie të syve dhe trupit, kanë pasur marrje mendsh, djegie të gjoksit dhe supeve, por pavarësisht kësaj e kanë mbajtur personin deri në momentin e ardhjes së forcave të policisë.

Ndërsa rusja e dyshuar si spiune, Svetlana Timofeeva, ka refuzuar ekstradimin në Rusi pas incidentit dhe arrestimit në Shqipëri.

Ministria e Drejtësisë shqiptare i dërgoi kërkesën zyrtare të autoriteteve gjyqësore të Federatës Ruse Prokurorisë së Elbasanit për ekstradimin e saj, por blogerja 33-vjeçare nuk ka pranuar kthimin në atdhe.

Blogerja ruse, e paraburgosur me masën e sigurisë “arrest në burg”, akuzohet për spiunazh së bashku me një tjetër rus dhe një ukrainas.

Sipas autoriteteve ruse të drejtësisë, rezulton se Svetlana Timofeeva, është person i shpallur në kërkim në Rusi për veprën penale të “Marrje e paligjshme e informacionit që përbën sekret shtetëror”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë