Futboll

Dridhet stoli i Zidan, Florentino Perez ka tre emra për pasuesin e tij

Ajo humbje 3-0 në Paris sigurisht që nuk mund të kalohet lehtë, aq më tepër kur Reali vjen nga një periudhe negative edhe në kampionat. Faqet e para të të përditshmeve sportive spanjolle i janë kushtuar krizës së Realit, që doli me “kocka të thyera” nga sfida me PSG-në në Ligën e Kampionëve. Trajneri Zinedin Zidan është njeriu i kopertinave për momentin dhe portreti i tij është i ngrysur. Situata është shumë e nxehtë te madrilenët, sipas “Mundo Deportivo”, që shkruan se presidenti Florentino Perez po mendon shumë seriozisht për atë që do të marrë vendin e francezit në stolin e Realit.

Gazeta e madhe spanjolle publikon detaje sa u takon kandidatëve për të marrë drejtimin e Realit në këtë moment të vështirë. Perez ka në plan të gjejë një zgjidhje brenda shtëpisë dhe dy të preferuarit e tij janë Raul dhe Ksabi Alonso, por pa përjashtuar asnjëherë hipotezën e rikthimit të Zhoze Mourinjos, i cili është ende pa skuadër, pas largimit nga Mançester Junajtid sezonin e kaluar.

Ish-kapiteni legjendar i Realit, Raul Gonzales, kandidat për stolin e madrilenëve. Gazeta Si, 20 shtator 2019

“Florentino Perez po e kupton që Zinedin Zidan nuk është njeriu i duhur për të bërë revolucionin te Reali”, - shkruhet mes rreshtave të një editoriali të “Mundo Deportivo”. Trajneri francez është i fiksuar pas futbollit me topin poshtë, por duket shumë e vështirë që Reali të luajë me këtë stil pa Kristiano Ronaldon, të preferuarin e Zidan. Presidenti Perez është penduar që lejoi të largohej Ksabi Alonson nga sektori i të rinjve. Ish-mesfushori stërvit aktualisht Real Sociedad B në Ligën e Dytë në Spanjë dhe shihet si favorit, pasi është një person me karakter më të fortë se Raul. Ksabi Alonso vlerësohet si njeriu adapt për të marrë drejtimin e Realit, por ai që do t’i jepte zgjidhje të shpejtë situatës në këtë moment është Mourinjo. Perez duhet të vendosë, ndërsa Zidan duket se po numëron orët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë