Politike

Drejt mbarimit të mandatit/ Yuri Kim: Do qëndroj pak më gjatë, mbështesim reformën në drejtësi edhe pse nuk iu pëlqen

Në konferencën për konsolidimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Gjykatës së Lartë, ambasadorja amerikane Yuri Kim tha se do të jetë në Shqipëri edhe ca më gjatë, megjithëse në janar i mbaron mandati.

Një afat ky që ia ‘kujtoi’ ministria e Jashtme ku përmes një postimi në Twitter jo të zakonshëm lajmëroi se kishin filluar procedurat për zëvendësuesin e saj. Një procedurë që sa duket do të zgjasë nisur edhe nga eksperiencat e mëparshme të emërimit të ambasadorëve    

“Kam 3 vite në Shqipëri, do jem këtu edhe për ca më gjatë. Ka një sfidë të madhe këtu! Ka histori këtu dhe duhet të ndjemë empati dhe respekt për historinë që ka kaluar ky vend. Ky është një vend i vogël të gjithë njohin gjithë të tjerët. Vendime për atë se kush do jetë në atë pozicion të caktuar, kreu i një institucioni apo një tjetri” tha Yuri Kim.

Diplomatja amerikane u ndal edhe zbatimi i Reformës në Drejtësi, aty ku në fakt ndan palët në mënyrën se si e shohin procesin

“Kemi pasur përparim të vazhdueshëm dhe për rezultate të vërteta që çdo shqiptar i zakonshëm i kupton që janë rezultatet të vërteta. Keni vendosur standarde të drejtësisë në Shqipëri. Keni filluar të zvogëloni numrin e çështjeve të prapambetura gjyqësore.

Keni krijuar KLGJ për përmirësimin e efikasitetit gjyqësor. Jemi krenar që jemi partner me BE-në jo vetëm në mbështetje të KLGJ-së. Ne e dimë që Reforma në Drejtësi është e rëndësishme jo vetëm që përmbush një kërkesë për anëtarësimin në BE, por për popullin shqiptar.

4 vite më parë në GJL ishte një gjyqtar. Besoj se brenda 3 mujorit të parë të 2023 Gjykata e Lartë do të ketë të gjithë anëtarët. Duhet të gjejmë drejtësi për njerëzit. Populli shqiptar dhe amerikan pret me padurim gjykata që janë të trajnuar me gjyqtarë që janë të gatshëm të japin drejtësi. Jo hakmarrje po drejtësi. Që të dinë që kur të vijnë në gjykatë të jenë të barabartë para ligjit. Ata do ta dinë që do marrin drejtësi në kohë.

Ne e kuptojmë plotësisht frustrimin e popullit shqiptar, ‘Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar’...

Kemi nevojë të bëjmë 0 numrin e çështjeve të prapambetura. Plotësojeni gjykatën dhe vendosi përparësi për çështjet më urgjente. Ka arsye për të qenë optimist për këtë brez shqiptarët. Reforma në Drejtësi po jep rezultatet konkrete. SHBA është në kahun e popullit shqiptar... ” tha ambasadorja Yuri Kim.

"Ka zhvillime strategjike që janë kaq pranë për t'u bërë të vërteta në vendin tuaj, energjia transporti, siguria. Marrëdhënia me SHBA përgjatë demokracisë, mbrojtjes së biznesit, investimet amerikane në Shqipëri nuk kanë qenë kurrë më të larta, duhet të ketë më shumë investime tek biznesi, por duhet më shumë drejtësi. Biznesmenët, gratë e biznesit duhet ta dinë që kur blejnë prona këtu, ajo copë letër ka vlerë, që kur të shkojnë në gjykatë, gjykatësi të vendosë në përputhje me ligjin dhe jo në përputhje me atë që ka paguar më shumë, apo kush ka bërë kërcënimin më frikësues. Kemi bërë përparim në fushën e mbrojtjes për herë të parë në histori kemi pasur këtu ushtarakë amerikanë.

Do e kishit para menduar këtë në ’97?! Do e kishit menduar gjatë diktaturës së Enver Hoxhës, madje ai po rrotullohet në varr. Kjo është e ardhmja, dhe Shqipëria që është Evropë, kjo është ajo që duam ne si SHBA për ju, ndaj investojmë në reformën e drejtësisë, vazhdojmë të besojmë dhe të shtyjmë më përpara, e di që ndonjëherë nuk iu pëlqen, e di, është e pakëndshme ndonjëherë.

Do kishit dashur që ndoshta ne të kishim qenë të heshtur, ne jemi miqtë tuaj, dua, që ju të jeni vendi më i mirë, të jeni partnerët tanë, të aftë, të fuqishëm, të pasur, një vend që vendet e tjera do ta shohin dhe do thoshin: Uauuu, ia dolën mbanë pavarësisht sfidës së të qenurit një vend i vogël zgjodhën një shteg të vështirë, ecën në atë rrugë, patën një mik të mirë, disa miq të mirë dhe ia dolën mbanë. Por ky është çasti, është momenti, ne kemi bërë progres së bashku por tani nuk është koha për t'u çlodhur e për të pushuar".

Fjala e ambasadores amerikane vjen edhe pak ditë para se në KLP të raportojnë kandidatë për kreun e SPAK, aty ku duket se ka krisje mes amerikanëve dhe qeverisë lidhur me preferencat e emrave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë