Futboll

Dramë për 75 minuta, pastaj festë e çmendur! Siti kampion

Gazeta Si - Përmbysje e madhe e Mançester Sitit dhe titull kampion. Nga 0-2 në 3-2, si disa vite më parë. Dramë në “Etihad” për 75 minuta lojë, pastaj shpërthen festa e papërmbajtshme. Skuadra e Guardiolës shpallet kampione e Anglisë.

Aston Vila, trajneri Xherard dhe Koutinjo për pak sa nuk i bënë një dhuratë të bukur Liverpulit. Në fushën e Sitit ata po fitonin 0-2 deri në minutën e 75-të. Por gjithçka u shkërmoq brenda 5 minutash, Siti shënoi 3 herë dhe fitoi titullin.

Në javën e fundit të kampionatit në Premier Ligë, Siti e kishte fatin në dorën e tij. Megjithatë, tifozët e tij do të përjetonin një dramë të vërtetë. Ata nuk po u besonin syve, teksa shihnin Aston Vilën në avantazh të dyfishtë.

Guardiola gjeti lëvizjen fituese dhe futi në fushë Gyndogan. Gjermani shënoi dy herë, kurse goli tjetër mban firmën e spanjollit Rodri. Të tre këta gola u shënuan për 5 minuta, duke kaluar në delir tifozët.

Me këtë fitore Mançester Siti mbajti prapa Liverpulin rival (93-92 pikë). E kotë fitorja 3-1 e djemve të Jurgen Klop ndaj Volverheptonit. Edhe për tifozët e Liverpulit ishte dramë, pasi për një moment ata besuan te titulli.

Festa e Pep Guardioles. Gazeta Si, 22 maj 2022

Ky është titulli i 4-t kampion në 5 vitet e fundit për Mançester Sitin. Dominimi i tij është i dukshëm, edhe pse Liverpuli e ka rivalizuar me dinjitet. Deri në minutën e fundit.

Titulli kampion është edhe një ngushëllimi për ‘qytetarët’, të cilët nuk patën sukses edhe këtë vit në Ligën e Kampionëve. Edhe trajneri Pep Guardiola nuk u përmbajt dot pas përmbysjes.

Totenhemi ndërkohë ka siguruar një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e ri. Skuadra e Kontes mundi 5-0 Noruiçin e Milot Rashicës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë