Futboll

Dramë në “Niko Dovana”, Teuta përmbys Kukësin

Ndeshja në stadiumin “Niko Dovana” mes Teutës dhe Kukësit ishte dramatike dhe me shumë mundësi e ka nxjerrë ekipin verilindor nga lufta për titullin kampion. 2-1 është mbyllur ndeshja e parë e kësaj jave të 22-të të Superligës. Kukësi kaloi i pari në avantazh, por në pjesën e dytë do të përmbysej nga vendasit durrsak.

Në pjesën e parë ekipi i Cungut hyri në fushë i motivuar dhe me një qëllim të qartë për të dalë me tre pikë nga kjo transfertë. Goli erdhi pas një lojë agresivë të verilindorëve, pikërisht nga ai që kishte më shumë kohë që nuk shënonte, Rexhinaldo. Afrikani shënoi në minutën e 37’ dhe u duk sikur kjo sfida do të ishte kthesa e Kukësit të fitoret.
Por pjesa e dytë do të ishte një surprizë e madhe. Në fillim Progni dhe më pas Arapi shënuan dy gola të shpejtë që përmbysën gjithçka në Durrës. Kukësi provoi të reagonte pas kësaj befasie. Do të kishte mundësinë në minutën e 90’ për të barazuar, por Kurderio nga pika e bardhë e penalltisë do të gabonte.

Teuta ia del kështu të hedhë pas krahëve rezultatet negative të javëve të fundit dhe ngjitet në vendin e dytë në renditje. Ndërsa Kukësi zbret në vendin e tretë dhe rrezikon të mbetet 11 pikë pas Partizanit, në rast të një fitoreje të “të kuqve” në Laç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë