Ekonomi

Drafti i amnistisë së kapitaleve: 5 deri në 10% tatim mbi shumën e deklaruar

Amnistia e kapitaleve do të zbatohet mbi parimin e deklarimit vullnetar të pasurive të padeklaruara nga individët dhe sipërmarrja. Qeveria parashikon të aplikojë një tatim në burim nga 5 deri në 10% për të nxitur deklarimin e pasurive.

Konkretisht, nëse vlera do të deklarohet  në 4 muajt e parë pas hyrjes në fuqi të ligjit, do të tatohet 5%, në katër muajt e dytë nga hyrja në fuqi e ligjit 7% dhe në katër muajt e tretë nga hyrja në fuqi e ligjit 10%.  Drafti përcakton se edhe për rastet e deklarimit vullnetar të pasurive të tjera të deklaruara vullnetarisht pranë njësisë speciale të ngritur në kuadër të këtij ligji, tatim i posaçëm në burim do të paguhet në vlerën nga 5 deri në 10% në varësi të afatit të deklaruar.

Amnistia do të përfshijë legalizimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme me vendndodhje brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, ku përfshihen shuma në të holla, monedhë shqiptare apo e huaj (CASH), monedhë dixhitale, sende me vlerë ar apo gurë të çmuar, vepra arti, tituj (securities), apo instrumente të tjerë të tregjeve financiare, pasuritë e luajtshme të regjistrueshme në regjistrat publikë.

Drafti përcakton se për çdo veprim do të ruhet sekreti, po ashtu çdo informacion të ofruar nga subjekti i deklarimit apo përfaqësuesi i posaçëm i tij, për çdo të dhënë për pasuritë e deklaruara me përjashtim të detyrimit për vënien në dispozicion të tyre nëpunësve shtetërorë të ngarkuar me detyra të lidhura me procesin e deklarimit; detyrimit për vënien në dispozicion të tyre nëpunësve shtetërorë të punësuar në organet e administratës shtetërore dhe të autorizuar nga ky ligj për të ndjekur procesin deklarimit vullnetar; rasteve të tjera të përcaktuara nga legjislacioni shqiptar.

Nga amnistia do të përjashtohen nëpunësit publikë, të cilët brenda 3 viteve të fundit kanë qenë mbajtës të detyrave në hierarkinë e lartë të administratës, dhe familjarët e tyre, subjektet e ligjit nr. 10 192, datë 3.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë; subjektet sipas përcaktimit të nenit 16, të Aktit Normativ nr.1, datë 31.1.2020 “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”; personat e shpallur dhe personat, për të cilët ka filluar procedura e shpalljes, në zbatim të parashikimeve të Ligjit nr. 157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”.

DRAFTI I PLOTË

Subjektet përfituese:

Subjekte të këtij ligji janë individët shtetas të Republikës së Shqipërsë pavarësisht nëse janë rezidentë tatimorë ose jo në Republikën e Shqipërisë, personat fizikë juridikë, tatimpagues rezidentë në Republikën e Shqipërisë, si dhe individët rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht shtetësisë së tyre.

Subjekte përfitues të këtij ligj janë subjektet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, të cilët kanë kryer procesin e deklarimit vullnetar dhe janë pajisur me vërtetimin e përfundimit të procesit të deklarimit të pasurive sipas parashikimeve të këtij ligji.

 Subjektet e përjashtuara

Janë subjekte të përjashtuara nga zbatimi i këtij ligji:

-Subjektet që kanë detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë, në zbatim të nenit 3 të ligjit nr. Nr.9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” i ndryshuar”, si dhe personat në përbërje të gjëndjes familjare të tyre, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

-Subjektet të cilët brënda tre viteve të fundit kanë qënë mbajtës të detyrave apo funksioneve sipas përcaktimit të nenit 3 të ligjit nr. Nr.9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” i ndryshuar”, si dhe personat në përbërje të gjëndjes familjare të tyre, në datën  e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

-Subjektet e ligjit nr. 10 192, datë 3.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë;

-Subjektet sipas përcaktimit të nenit 16, të Aktit Normativ nr.1, datë 31.1.2020 “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”.

-Personat e shpallur dhe personat, për të cilët ka filluar procedura e shpalljes, në zbatim të parashikimeve të Ligjit nr. 157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”.

Si do kryhet procedura e deklarimit vullnetar të pasurive dhe pasqyrave financiare

1.Subjektet e këtij ligji mund të deklarojnë vullnetarisht pasuritë dhe elementë të pasqyrave financiare, pavarësisht nëse pasuritë, në tërësinë apo pjesë të tyre, janë të padeklaruara apo të pa regjistruara në autoritet kompetente, apo pavarësisht nese ato ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë.

2.Deklarimi vullnetar i pasurive apo i pasqyrave financiare (më poshtë deklarimi vullnetar) kryhet pranë strukturës përgjegjëse të ngritur në kuadër të këtij ligji pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve apo ndërmjetësve të autorizuar që janë bankat e nivelit të dytë apo institutet financiare, në sportel apo online, nëpërmjet paraqitjes së një vetëdeklarimi të paracaktuar (më poshtë formulari i deklarimit vullnetar), formati i të cilit dhe mënyra e procedimit përcaktohen me udhëzim të Ministrit përgjegjës për financat.

3.Procesi i deklarimit vullnetar fillon me depozitimin e formularit të deklarimit vullnetar përmendur në pikën 2 të këtij neni dhe përfundon me pajisjen e subjektit me vërtetimin përkatës të lëshuar sipas parashikimeve të këtij ligji. Zhvillimi i procedurës dhe organizimi i saj parashikohen në udhëzimin e Ministrit përgjegjës për financat.

4.Pasuritë shuma në të holla depozitohen në llogari bankare të bankave të nivelit të dytë, ndërsa pasuritë e tjera, të detyrueshme për t’u regjistruar, ndiqen procedurat kryejnë regjistrimin sipas parashkimeve të legjislacionit përkatës të fushës.

Deklarimi vullnetar i shumave në të holla

Deklarimi i shumave në të holla kryhet si më poshtë:

a) subjekti ose përfaqësuesi i posaçëm plotëson një formular aplikimi për depozitim të shumës në të holla në një numër llogarie bankare të hapur prej tyre për këtë qëllim.

b) formulari verifikohet për mënyrën e plotësimit të tij dhe subjekti pajiset me kopje të aplikimit, të verifikuar;

c) subjekti apo përfaqësuesi I tij kryejnë depozitimin e shumave në të holla në llogarinë përkatëse bankare

Detyrimet tatimore të subjekteve përfitues, deri më hyrjen në fuqi të këtij ligji, konsiderohen të paguara rregullisht dhe administratat tatimore nuk mund t’i kërkojnë pagesën e detyrimeve të tjera shtesë ndaj atyre të paguara, për këtë periudhë në lidhje me vlerën dhe llojin e pasurisë së deklaruar.

Deklarimi vullnetar i pasurive të tjera

Pasuritë e tjera, të ndryshme nga shumat në të holla, deklarohen pranë strukturës përgjegjëse të parashikuar në këtë ligj, procedurat dhe formularët e deklarimit dhe pagesave përcaktohen me udhëzim të Ministrit përgjegjës për financat.

Nëse pasuritë e deklaruara janë pasuri të paluajtshme apo pasuritë të luajtshme të regjistrueshme, me përfundimin e procesit të deklarimit vullnetar të pasurive sipas parshikimeve të këtj ligji, subjekti përfitues ka prioritet në kryerjen e regjistrimit të pasurisë pas plotësimit të kushteve të parashikuara nga legjislacioni i fushës. Vërtetimi i përfundimit të procesit të deklarimit vullnetar nuk përbën regjistrim të këtyre pasurive.

Deklararimi vullnetar i elementëve të vecantë të pasqyrave financiare:

Personat fizike apo juridike, subjekte të këtij ligji mund të rideklarojë cdo element të vecantë të aktivëve, detyrimeve apo kapitaleve të veta të pasqyrave financiare të shoqerisë me synimin për të siguruar një paraqitje reale, të vërtetë dhe e drejtë të cdo elementi të aktivëve dhe detyrimeve të këtyre pasqyrave.

Për cdo diferencë negative apo pozitive që lind nga gjendja reale me gjendjen aktuale kontabel, subjektit i lind detyrimi për pagesë të tatimit sipas vlerës dhe modaliteteve kohore të parashikuara në nenin 12 të këtij ligji.

Çdo diferencë e kontabilizuar per kete qellim do të klasifikohet si e ardhur e patatueshme apo shpenzim i pazbritshëm për qëllime të deklaratës së tatim fitimit apo tatimit të thjeshtuar të fitimit.

Shumat e detyrimeve ndaj ortakeve te shoqerise të rivleresuara sipas dispozitave te ketij neni, mund të perdoren lirisht prej tyre për qellimë të biznesit apo personale.

Tatimi i posacëm në burim

Në rastet e deklarimit vullnetar të shumave në të holla dhe të depozitimit të tyre në llogaritë bankare, banka mban një tatim të posacëm në burim në vlerën si vijon:

a) 5 për qind të shumës totale të deklaruar për deklarime të kryera në katër muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit

b) 7 për qind të shumës totale të deklaruar për deklarime të kryera në katër muajt e dytë nga hyrja në fuqi e ligjit

c) 10 për qind të shumës totale të deklaruar për deklarime të kryera në katër muajt e tretë nga hyrja në fuqi e ligjit

Në rastet e deklarimit vullnetar të pasurive të tjera të deklaruara vullnetarisht pranë njësisë speciale të ngritur në kuadër të këtij ligji, tatim I posacëm në burim paguhet në vlerën si vijon:

a) 5 për qind të vlerë së deklaruar për deklarime të kryera në katër muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit

b) 7 për qind të vlerë së deklaruar për deklarime të kryera në katër muajt e dytë nga hyrja në fuqi e ligjit

c) 10 për qind të vlerë së deklaruar për deklarime të kryera në katër muajt e tretë nga hyrja në fuqi e ligjit.

Njesia e posacme e krijuar me këtë ligj, bankat e nivelit të dytë apo institucionet financiare, në cilësinë e ndërmjetësit, transferojnë të ardhurat e mbledhura nga pagesat e tatimit të posacmë në burim në kuadër të këtij ligji, në llogaritë e thesarit të Ministrisë së Financave.

Riatdhesim i pasurive

Pasuria, përfshirë shumat në të holla, që ndodhet jashtë territorit të RSH, mund të riatdhesohet me pagimin e tatimitnë burim sipas parashikimit të nenit 12 të këtij ligji. Pasuritë e riatdhesuara në këtë mënyrë mund të përdoren dhe administrohen lirisht sipas parashikimeve të legjislacionit përkatës

Për riatdhesimin e pasurive sipas pikës 1, subjektet e këtij ligji personalisht apo nëpërmjet ndërmjetësve financiarë, plotësojnë formularin për deklarimin vullnetar të pasurive sipas parashikimeve të nenit 8 të këtij ligji dhe e paraqisin këtë deklarim në autoritet përgjegjëse të kufirit, në rast nevojë. Rregullat dhe mënyra e riatdhesimit të pasurive paarshikohen në udhëzimin përkatës të ministrit përgjegjës për financat.

Deklarimet dhe veprimet e kryera në kuadër të riatdhesimit të pasurive nga ana e subjekteve përfituese sipas këtij ligji, në lidhje me llojin dhe vlerën e pasurisë që deklaronë vullnetarisht në formularin përkatës, nuk mund të shërbejnë si indicie apo provë për ndjekjen apo procedimin penal dhe/ose administrativ të këtyre subjekteve.

Ndërprerja e procedurës së deklarimit vullnetar

1.Procedura e deklarimit vullnetar konsiderohet e ndërprerë:

(a) Me vetëdeklarim të subjektit, në cdo kohë, pas fillimit të procedurës së deklarimit vullnetar pa pasur nevojë të shpreh shkaqet e ndërprerjes.

(b) Me përfundimin e afatit të zbatimit të ligjit dhe mosplotësim të kushteve të parashikuara në nenin 15 pika 1 të këtij ligji.

Me ndërprerjen e procedurës së deklarimit vullnetar konsiderohet se procedura e deklarimit në kuptim të këtij ligji nuk ka filluar dhe subjekti nuk konsiderohet subjekt përfitues në kuptim këtij ligji.

Përfundimi i procedurës së deklarimit vullnetar

1.Procedura e deklarimit vullnetar përfundon me plotësimin të këtyre kushteve:

(a) me pagimin e vlerës së tatimit të posacëm në burim sipas parashikimit të nenit 12 të këtij ligji,

(b) me depozitimin në llogarinë përkatëse bankare, të shumave sipas parashikimit të këtij ligji në rast se pasuria konsiston në shuma monetare.

Me përfundimin procedurës së deklarimit vullnetar, brenda 20 ditëve nga dorëzimi i dokumentacionit sipas pikës 1, njësia e posacme e krijuar në kuptim të këtij ligji lëshon vërtetimin përkatës të përfundimit të procesit të deklarimit vullnetar të pasurive, formati i të cilit miratohet me urdhër të e ministrit përgjegjës për financat.

Personi në emër të të cilit është lëshuar vërtetimi për përfundimin e procesit të deklarimit vullnetar konsiderohet subjekt përfitues për pasurinë përkatësisht sipas llojit dhe vlerës së përcaktuar në vërtetimin për përfundimin e procesit të deklarimit vullnetar.

Pasuria për të cilën është lëshuar vërtetimi në përfundim te procesit të deklarimit vullnetar konsiderohet pasuri e deklaruar në kuptim të këtij ligji.

Efektet e përfundimit të procedurës së deklarimit vullnetar

Individët, personat fizikë dhe personat juridikë, subjekte përfitues sipas parashikimeve të këtij ligji, me pajisjen me vërtetimin e përfundimit të procesit të deklarimit vullnetar, gëzojnë këto të drejta:

a) të ardhurat pas kryerjes së pagesës së detyrimeve, sipas parashikimeve në këtë ligji, konsiderohen si të ardhura, për të cilat detyrimet tatimore janë paguar në përputhje me legjislacionin shqiptar;

b) përjashtohen nga detyrimi I dhënies së informacionit pranë insitucioneve përkatëse administratuve në lidhje me kohën, mënyrën e krijimit, mbajtjen apo posedimin e pasurive të deklaruara në përputhje me parashikimet e këtij ligji;

c) të drejtën e ruajtjes së sekretit, sipas përkufizimit të këtij ligji, për sa i përket ligjësimit të pasurive të deklaruara dhe deklarimit të emelentëve të pasqyrave financiare, sipas parashikimeve të këtij ligji;

ç) garanci për subjektet, që kanë deklaruar shuma në të holla, për mosdiskriminimin në të ardhmen, në procedurat e përllogaritjes së detyrimeve tatimore.

d) përjashtim nga ndjekja e procedurave hetimore dhe administrative në kuadër të ndëshkimit administrativnë lidhje me pasuritë e deklaruara sipas parashikimeve të këtij ligji, nëse nuk parashikohet ndryshe në këtë ligj

e) përjashtim nga ndjekja penale dhe procedimi penal në kuadër të ligjit penal të zbatueshëm në Republikën e Shqipërisëpër vepra penale në lidhje me pasuritë e deklaruara sipas kushteve dhe parashikimeve të këtij ligji

dh) Mosvënia e masës së sekuestros apo konfiskimit ndaj pasurive të deklaruara vullnetarisht

Çdo paqartësi në zbatimin e këtij ligji interpretohet në favor të subjekteve përfitues.

Tatimet e mbajtura në burim për efekt të deklarimit të pasurive nuk konsiderohen shpenzim i zbritshëm për efekte fiskale.

Në rastet e deklarimit të elemntëve të pasqyrave financiare të drejtat e subjekteve përfituese, për aq sa të zbatueshme shtrihen edhe te profesionistet e sektorit që kanë certifikuar veprimet e rishikuara.

Parashikimet e këtij neni nuk zbatohen ndaj subjekteve të parashikuara nga neni 6 i këtij ligji.

Falja e gjobave/kamatvonesave / penaliteteve për veprimet me pasuritë e deklaruara

1.Të gjithë subjekteve përfituese sipas përcaktimit të këtij ligji, u falen të gjitha gjobat /kamatevonesat / penalitetet të parashikuara në legjislacionin në fuqi per regjistrimi pasurisë së  që konsiderohet e deklaruar në kuptim të këtij ligji nëse brenda afatit të zbatimit të këtij ligji kryejnë  rregjistrimin e pasurisë në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi.

Parashikimet e pikës 1 të këtij neni nuk zbatohen ndaj subjekteve të parashikuara nga neni 6 i këtij ligji.

Kushtet për dhënien e amnistisë nga ndjekja penale

Mosfillimin e procedimit penal ndaj per, subjekteve përfitues në emër të të cilëve është lëshuar vertetimin i përfundimit të procesit të deklarimit vullnetar, për vepra penale që lidhen drejtperdrejte ose në mënyre të tërthortë me krijimin dhe disponimin e pasurisë objekt i deklarimit vullnetar, të kryera deri me datë …(hyrja në fuqi e ligjit).

Parashikimet e kësaj pike nuk zbatohen për procedimet penale te regjistruara deri më datë 1 maj 2020.

Nuk përfitojnë nga parashikimet e pikës 1 të këtij neni:

-Subjektet që kanë detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë, në zbatim të nenit 3 të ligjit nr. Nr.9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” i ndryshuar”, si dhe personat në përbërje të gjëndjes familjare të tyre, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

-Subjektet të cilët brënda tre viteve të fundit kanë qënë mbajtës të detyrave apo funksioneve sipas përcaktimit të nenit 3 të ligjit nr. Nr.9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” i ndryshuar”, si dhe personat në përbërje të gjëndjes familjare të tyre, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

-Subjektet e ligjit nr. 10 192, datë 3.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë;

-Subjektet sipas përcaktimit të nenit 16, të Aktit Normativ nr.1, datë 31.1.2020 “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”.

-Personat e shpallur dhe personat, për të cilët ka filluar procedura e shpalljes, në zbatim të parashikimeve të Ligjit nr. 157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”. Burimi: Monitor.al


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë