Rend dhe Ligj

Dosja “Xibrraka”: Ermal Hoxha, ushtar i “Elefantit”

Hetimet për zbulimin e laboratorit të parë të sofistikuar të përpunimit të kokainës së pastër kolumbiane në vendin tonë nisën si një sinjalizim nga autoritetet gjermane. Në vendimin e zbardhur të shkallës së parë të Gjykatës për Krimet e Rënda thuhet se kërkesa ka qenë nga Prokuroria e Hanoverit.

Autoritetet gjermane kishin kërkuar ndihmën e palës shqiptare pas regjistrimit të procedimit penal ndaj shtetasit Ilir Hyseni, i njohur edhe me emrin Bali Meta. Gjermanët dyshonin se po organizohej një aktivitet i paligjshëm i trafikimit të një sasie të konsiderueshme lënde narkotike të dyshuar kokainë nga Shqipëria në drejtim të Gjermanisë.

Prokuroria për Krimet e Rënda në Tiranë u vu në lëvizje dhe më 18 dhjetor të 2014 u mor autorizimi për të përgjuar shtetasit Saimir Batku, Gentian Gjonaj, Kelmend Dalipi, Arjan Dalipi, Ilir Hyseni, shtetasit kolumbianë Cesar Avila e Walther Moreno si dhe nipin e diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxhën.

Përgjimet çuan në zbulimin dhe më pas arrestimin e disa personave më 14 janar të 2015 për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, që përpunohej në një laborator të përshtatur në ish-depot e rezervave shtetërore në fshatin Xibrakë, 10 kilometra larg qytetit të Elbasanit.

Nga 18 dhjetori 2014, kohë kur është marrë autorizimi për të përgjuar këtë grup e deri më 14 janar të 2015 janë pak javë, por ishte koha e mjaftueshme për policinë dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda që të siguronte provat e nevojshme për të ndërhyrë.

Përgjimet e interpretuara në vendimin e zbardhur çojnë gjykatën në përfundimin se koka e grupit ishte shtetasi Genci Xhixha, që nga “vartësit” e tij thërritej si “Elefanti”. Nga përgjimet rezultoi se Ilir Hyseni kontaktonte Ermal Hoxhën, përdorues i numrit celular 069 6429 949.

Nga mbajtja nën vëzhgim e Ermal Hoxhës, policia dhe prokurorët kanë lokalizuar laboratorin e drogës tek ish-magazinat e rezervave shtetërore në Xibrakë të Elbasanit. Dosja e gjykatës thotë se Ermal Hoxha kishte akses tek këto magazina së bashku me shtetasit, Ilir Hyseni, vëllezërit Kelmend dhe Arjan Dalipi, pronarë të magazinës, dhe Gentian Gjonajn dhe Saimir Batkun.

https://www.youtube.com/watch?v=oUzLKuvm0Iw

Në harkun kohor të pak ditëve, këta persona kanë patur një komunikim të shpeshtë mes tyre dhe thuajse në të gjitha bisedat e përgjuara, del emri i Ermal Hoxhës. Por cili ishte roli i Ermal Hoxhës në këtë “sipërmarrje”?

Gjykata thotë se nga përgjimet provohet se Ermal Hoxha shërbente si “ushtari” i Genci Xhixhës me anëtarët e tjerë të grupit, sidomos me dy shtetasit kolumbianë, që në biseda telefonike thërritën si “instrumentistët e orkestrës”. Nga frika e përgjimeve, anëtarët e grupit me “orkestër” nënkuptonin personat që merreshin me përgatitjen e kokainës në laborator dhe “instrumentistë” kryesorë të saj janë kolumbianët Cesar Avila e Walther Moreno.

Ermal Hoxha komunikonte përmes numrit 069 64 29 949, të regjistruar në emër të tij me numrin 069 65 68 888 të regjistruar në emër të Genci Xhixhës. Hoxha udhëtonte shpesh drejt Xibrakës, sipas porosive të Genci Xhixhës. Ky i fundit, thotë gjykata, tregohet mjaft i kujdesshëm si në bisedat telefonike me Ermal Hoxhën, ashtu edhe duke shmangur plotësisht kontaktin e drejtpërdrejtë me shtetasit kolumbianë, por edhe vizitat në laboratorin e drogës.

“Duke qenë në krye të grupit, Genci Xhixha e ka nivelin më të lartë të kujdesit të aktivitetit dhe komunikimeve të tij. Kjo është arsyeja që ai nuk mban komunikime telefonike personale me shtetasit kolumbianë dhe as me Kelmend Dalipajn, pronarin e magazinës në Xibrakë”, thotë gjykata.

Për këto detyra, nga përgjimet del se është caktuar Ermal Hoxha, që nga bisedat e përgjuara telefonike del edhe si koordinator i pjesës tjetër të grupit me Genci Xhixhën. Në një rast, më 13 janar 2015, një ditë para operacionit të policisë, Ermal Hoxha është përgjuar duke marrë porosinë nga Genci Xhixha që të shkonte në Elbasan dhe të merrte dy shtetasit kolumbianë për t’i takuar, por pasi “të lahen dhe të shplahen”.

Genci Xhixha: Këtu te Qako jam unë, te kafja.
Ermal Hoxha: Po dëgjo, unë po vij, ika deri në Shkodër (me Shkodër, gjykata thotë se të dënuarit nënkuptonin laboratorin e Xibrakës).
Genci Xhixha: Ok. Dakort!
Ermal Hoxha: Për nja 40 minuta dhe vij.
Genci Xhixha: Ok, dakort!
Ermal Hoxha: Do të takosh këtë ti?
Genci Xhixha: Po mirë, të them unë. Çoji aty se të them unë kur të afrohesh.
Ermal Hoxha: Mirë, do të bëj prap telefon.
Genci Xhixha; Të lahen e të shplahen njëherë, pastaj.
Ermal Hoxha: E mirë, hajde.

“Këtë shërbim ata e kishin të nevojshëm duke pasur parasysh punën që bënin dhe veshjet e tyre të punës, që nga akti i ekspertimit kimik rezulton se kishte mbetje kokaine”, sqaron gjykata.

I dënuari si drejtues i grupit te Xibrakes, Genci Xhixha, qe nga anetaret e grupit therritej "Elefanti"

Në dosjen e zbardhur saktësohet se paraditen e po asaj dite, para se të mbërrinte në Xibrakë me automjetin tip Volvo me targa AA 258 KO për të marrë me porosi të Genci Xhixhës dy kolumbianët, e dënuar tashmë si “ekspertët” e përgatitjes së drogës, Ermal Hoxha ka komunikuar me Arjan Dalipin. Mes tyre është zhvilluar një bisedë në lidhje me “punën”.

Ermal Hoxha: Mirë? Keni ftohtë, apo nuk keni ftoht?
Arjan Dalipi: Kanë ngrirë sot. Është akull fare, kanë ngrirë markushët. Nuk i lajmë dot qentë.
Ermal Hoxha: ËËË, hajde…ja po vij unë.

Në orën 14:36 minuta të 13 janarit, në dosje saktësohet se është kapur një tjetër përgjim telefonik mes Genci Xhixhës dhe Ermal Hoxhës. Gjykata thotë se ka qenë Ermal Hoxha ai që e ka marrë në telefon për t’i thënë se shtetasi, që i referohet si “Veza” kërkon ta takojë. Takimi lihet për në orën 5 të pasdites së po asaj dite. Pak minuta pasi kishte kaluar ora 5, Ermal Hoxha e merr sërish në telefon dhe i thotë që personi në fjalë, që i referohet si “Veza” këmbëngul që ta takojë. Xhixha i thotë që t’ja dërgojë tek lokali, ndërkohë që shqetësohet për përgjimin.

“Shi shi si bon telefoni”, thotë Xhixha.

Ermal Hoxha, që gjykata thotë se nuk rezervohet në asnjë rast në komunikimet e veta telefonike “e qetëson” duke i thënë se ka përdorur komandën e dëgjimit në ambient (Vivavoçe). Po në këtë komunikim, Xhixha, në rolin e drejtuesit i thotë që të njoftojë të gjithë të tjerët, bashkë me Sajmen dhe të mblidhen në një lokal të njohur prej tyre, “atje ku pijm kafen, gjithmonë bashkë”.

Sajme, sipas Gjykatës është shtetasi Saimir Batku, që në grup ishte i ngarkuar me detyrën e shpërndarjes së mallit të prodhuar në tregun vendas, pasi eksporti nuk kishte filluar ende. Batku është përgjuar në një telefonatë me Ilir Hysenin, ku ky i fundit i ankohet për “pagesat e shumta që kishte për të bërë në emër të një lokali, biznes të ligjshëm që zotëronte në Tiranë” dhe sesi “ai nuk i kishte dhënë asnjë lek”. Gjykata thotë se nga interpretimi i këtij përgjimi arrihet në përfundimin se Ilir Hyseni kishte rolin e “financierit” në grup, si njeriu që mblidhte paratë.

Ndërkohë, nga përgjimet e tjera gjykata ka krijuar bindjen se Kelmend dhe Arjan Dalipaj, së bashku me dy shtetasit kolumbianë, Cesar Avila e Walther Moreno ishin personat që punonin në “kuzhinë” në gatimin e mallit, së bashku me një person tjetër që e thërrasin “kinezi”.

Për kinezin kanë folur në spanjisht edhe dy shtetasit kolumbianë në momentin që janë arrestuar. Në padijeni se po përgjoheshin, ata kanë ‘koordinuar’ deklaratat që do të bënin para hetuesisë, kanë shprehur habinë se si janë arrestuar dhe “kinezit” i referohen si “Carlos Kimisti”. Ka dyshime se ky person misterioz ka qenë ai që kishte “recetën” e përgatitjes së mallit, por si nga përgjimet, ashtu edhe nga hetimet e mëvonshme nuk është mësuar kurrë as kombësia dhe as identiteti i vërtetë i tij.

Ndërkohë, vetë magazina ku ishte ndërtuar laboratori rezultonte e dhënë me qira për shtetasin Aleksandër Nasufi nga shtetasi Kelmend Dalipaj. Kontrata e qirasë ishte noterizuar, por gjatë hetimeve u zbulua se fotografia e Gentian Gjonajt ishte vendosur në kartën e identitetit të Aleksandër Nasufit, që kishte denoncuar më parë humbjen e kartës së tij të identitetit.

Si përfundim, gjykata thotë se me përjashtim të dy shtetasve kolumbianë, ekzistojnë provat që të gjithë personat e tjerë të këtij grupi, nisur nga mënyra si i drejtohen njëri-tjetrit në telefon janë me lidhje shoqërore të vjetra me njëri-tjetrin.

Kështu u mbyll një tjetër proces i bujshëm në drejtësinë shqiptare, ndërkohë që pati zëra gjatë asaj kohe se pala gjermane, e cila angazhoi Shqipërinë për të hetuar mbeti e pakënaqur nga moszbulimi i të dyshuarve kryesorë të kësaj veprimtarie kriminale.

Të gjithë të akuzuarit u gjykuan për dy akuza: prodhim dhe fabrikim të lëndëve narkotike dhe grup kriminal. Drejtësia nuk dha asnjë vendim për të dyshuarit për akuzën për të cilën pati indicie të forta, siç është vepra e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Si u mbrojt Ermal Hoxha?

Ermal Hoxha ka folur vetëm një herë personalisht para prokurorëve dhe këtë e ka bërë tre muaj pasi u arrestua. Më pas, ai nuk u paraqit asnjëherë në gjykatë, por përfaqësohej nga avokati mbrojtës.

Çfarë thotë në deklaratën e mbrojtjes?

Gjatë marrjes në pyetje Ermal Hoxha i konisderoi të gjithë të arrestuarit si shokë, që i kishte njohur në vite të ndryshme, ndërkohë që për dy ekspertët kolumbianë, të cilët ai i transportonte nga Tirana në Elbasan dhe anasjelltas, ai e cilëson thjesht si një nder për Genci Xhixhën. Ermal Hoxha deklaronte se ishte u pafajshëm dhe se dy kolumbianët i dinte brazilianë dhe asgjë më shumë.

“Nuk e pranoj akuzën për shumë arsye. Unë nuk jam njohur me asnjë provë për të cilat ju po më pyesni dhe së dyti, nuk kam kryer asnjë veprim që të përbëjë faj për të cilën më akuzoni. Sqaroj se gjithçka që më është komunikuar lidhur me fajësinë time e kam mësuar vetëm në seancat e zhvilluara për vlerësimin e masave të sigurisë. Sqaroj se këto probleme të ngritura në akuzë, kam marrë njoftim nëpërmjet avokatit, i cili në mënyrë të përmbledhur më ka vënë në dijeni me përmbajtjen e përgjimeve, raportet e vëzhgimeve si edhe aktet e tjera që janë paraqitur në gjykatë. Përfundimisht theksoj se jam tërësisht i pafajshëm për çka atribuohet si vepër penale”, deklaronte ai.

Ermal Hoxha pranon njohjen me, Genci Xhixhën, Ilir Hysenin, Saimir Batkun dhe Gentian Gjonaj, ndërsa thotë se me Kelmend Dalipin është njohur brenda në qeli. Në dëshmi thotë se shtetasit kolumbianë i takoi për herë të parë vetëm kur i kërkoi miqësisht një nder Genci Xhixha.

“Genci më kërkoi shoqërisht meqënëse nuk kishte mundësi tjetër, që t’i shoqëroja për në Elbasan këta dy shtetas për në Tiranë”, deklaron ai në dëshminë e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë