Politike

Dosja McGonigal / Meta rrëfen raportet me Nezën dhe Duçkën: Vëllain e të parit e kisha zëdhënës, të dytin e kam kushëri si 200 të tillë

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, foli për herë të parë të martën në mbrëmje për njohjet tij me protagonistët e dosjes së ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, në lidhjet me Shqipërinë Agron Neza, i identifikuar si “Personi A” dhe Dorian Duçka si personi “B”.

Meta tha se i njihte të dy personat por në rrethana të ndryshme nga njeri tjetri.  

“Unë e kam njohur “Personin A”, zotin Agron Neza si vëllai i këshilltarit tim të ndjerë për mediat, zëdhënësi im, zotin Agim Neza, i cili ka qenë zëdhënësi im në kohën që unë kam qenë ministër i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë. Kështu që kjo është e vetmja njohje e imja me zotin Neza në këtë lloj raporti.

Për më tepër që me familjen Neza kam një raport të hershëm, që nga Zenel Neza që ka qenë Kryetari i parë i Bashkisë së Tropojës, në vitin 1992, edhe me shumë të tjerë”, tha Meta në emisionin “Debat” në “A2CNN”.

Emri tjetër që përmendet në akuzën ndaj agjentit të arrestuar të FBI-së është Dorian Duçka të cilin vetë Meta në deklarimet për shtyp nuk ka preferuar t’i përmendë me emër, por thjesht si bashkëpunëtor i Ramës.

Ndërkohë, eksponentë të mazhorancës janë shprehur disa herë se Duçka ka qenë ish-bashkëpunëtor i Metës duke kujtuar gjithashtu se kanë lidhje farefisnore me njeri tjetrin..

A e komplekson emri ‘Duçka” Ilir Metën në qëndrimet e tij ndaj zyrtarit të lartë të FBI-së aktualisht i arrestuar?  

“Absolutisht. Së pari nuk ka se si të më kompleksojë. Së dyti kam vënë re disa spekulime për ta paraqitur gjoja si një njeri, që meqenëse ka shërbyer për LSI-në në të kaluarën, apo ka një lidhje familjare me mua, është si rezultat i këtij raporti, edhe njeri kaq i afërt i zotit Rama.

Mendoj që ky është një mashtrim publik me qëllime justifikimi për përgjegjësinë e Edi Ramës në gjithë orkestrimin e këtij skenari mafioz për korruptimin e zyrtarëve ndërkombëtarë, dhe mund t’ju them se, si Doriani unë kam nja 200 kushërinj, por çuditërisht asnjë tjetër nuk zgjodhi z. Rama ta kishte si këshilltar pa pagesë. Kështu që besoj që është shumë e qartë.

Natyrisht që ka edhe një malinjitet, sepse ai është përpjekur ta përdorë atë në ato lidhje ndërkombëtare që ai ka pasur, sigurisht duke thënë që, “ja ku është kushëri edhe i filanit”. Personi në fjalë është edhe kushëri i ministres së z. Rama, zonjës Etilda Gjonaj, por s’mund të akuzoj zonjën Etilda që ka ajo përgjegjësi për çdo veprimtari të Dorianit, apo jo?

Në rastin konkret, çdo përpjekje për të sfumuar përgjegjësinë e arkitektit dhe orkestruesit të shndërrimit të Shqipërisë, e sidomos të qeverisë dhe zyrës së Kryeministrit, në një qendër rekrutimi të zyrtarëve më të lartë e të rëndësishëm të vendeve aleate dhe perëndimore me qëllim përdorimin e tyre kundër opozitës, kundër demokracisë, kundër shtetit të së drejtës, vetëm për qëllime të brendshme dhe për të çimentuar regjimin e tij të korrupsionit, pra të gjitha këto përpjekje duhen hetuar deri në fund. Dhe duhet çmontuar i gjithë ky sistem duke vendosur secilin përpara përgjegjësisë për atë që i takon”, tha Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë