Dosje

“Dosja 339”, “Niçja” kallëzon kryetaren e Apelit të GJKKO-së

Një nga të pandehurit e “dosjes 339” për laboratorin e heroinës në Has, Altin Avdyli, ka kallëzuar penalisht kryetaren e Gjykatës se Posaçme të Apelit, Saida Dollani për shpërdorim detyre dhe ka kërkuar përjashtimin e saj nga trupi gjykues.

Në kallëzimin penal, Avdyli shprehet se relatoria e çështjes ka shpërdoruar hapur detyrën, duke qëndruar me “forcë” në çështjen e tij dhe duke mos dhënë dorëheqjen, ndonëse ka dhënë vendim më datën 03 Qershor 2021 për një pjesë të “dosjes 339”. Në argumentimin e tij, Avdyli thotë se gjyqtarja ka shpërdoruar hapur detyrën dhe ka paragjykuar çështjen që në themel.

“Pjesë e kallëzimit janë edhe veprimet arbitrare të relatores znj. Dollani ndaj tij, që pavarësisht se kishte dy avokatë ne sallën e gjykimit, duke mos dhënë asnjë shpjegim, nuk i ka legjitimuar ata dhe duke vazhduar me avokat kryesisht, "sa per sy dhe faqe" për të qenë në rregull procedurialisht dhe për të formalizuar një vendim të paracaktuar më herët! Kjo gjyqtare, në emër të ligjit procedurial, kryen paligjshmeritë, ku me arrogancën ballkanike shkel të drejtat më themelore te të pandehurve", - thuhet në dokument.

Kjo nuk është hera e parë që Avdyli kërkon përjashtimin e një gjykatëseje nga trupa gjykuese. Më herët ai ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Daniela Shirka.

Altin Avdyli, është  arrestuar si pjesë e grupit të Avdylajve në tetor të vitit 2018. Ai akuzohet për  “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve“ kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Grupi i Avdylajve, u godit asokohe nga policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Operacioni u shtri në  12 qytete dhe u goditën anëtarët e 4 grupeve të skeduara kriminale. Në pretencën për “Dosjen 339”, Prokuroria kërkoi 6.8 vite burg për Altin Avdylajn.

Pak kohë më parë, Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), përfundoi hetimet për laboratorin e heroinës në Has dhe kërkoi në total 147 vite burg për 17 të pandehur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë