Politike

Dorëzimi i mandateve, ndryshon Kodi Zgjedhor. Ndëshkimet për blerjen e votave

Zbulohet drafti i ekspertëve të komisionit të posaçëm të reformës për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Dokumenti i amendamenteve të propozuara, i siguruar nga Gazeta "Si", parashikon ndërhyrjen në 26 nene të Kodit Zgjedhor dhe se prek më tepër barazinë gjinore, financimin e partive politike, gjobat për shkeljet, si edhe forcimin e kompetencave të KQZ.

Paketa e amendimeve pritet të diskutohet në mbledhjen e nesërme të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore.

Në draftin e propozuar për Kodin Zgjedhor, nuk është përfshirë depolitizimi i Komisioneve Zgjedhore, apo dhe përbërja e KQZ-së.

Në propozimet e grupit të ekspertëve është prekur edhe çështja e mandateve të deputetëve dhe vakancave të krijuara. Kujtojmë këtu se opozita dorëzoi në bllok mandatet e deputetit në shkurt të këtij viti dhe se Kuvendi aktual nuk është i plotësuar me 140 vendet. Në propozimin e grupit të ekspertëve parashikohet vendosja e gjobave në rast të mosplotësimit të listës sipas përkatësisë gjinore.

Faksimile e propozimeve për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Gazeta Si, 23 tetor 2019


“Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. Kur vakanca i përket një mandati të fituar sipas pikës 6 të nenit 67 të këtij Kodi, ajo plotësohet nga kandidati i parë në listë i gjinisë përkatëse pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Në rast se emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar mandati i kalon kandidatit të gjinisë përkatëse të partisë politike të koalicionit me herësin më të lartë. Ky proces zëvendësimi vijon duke garantuar përherë plotësimin e vakancës vetëm me kandidate të së njëjtës gjini. Në rastin e partisë politike që ka konkurruar e vetme në zgjedhje dhe kur vakanca nuk plotësohet nga gjinia më pak e përfaqësuar atëherë partia politike ndëshkohet nga KQZ-ja me gjobë në shumën 2 milionë lekë”, thuhet në propozimin e ri.
Në Kodin aktual nuk parashikohej gjoba, dhe se përcaktohej se rregulli i barazisë gjinore nuk aplikohej kur emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar. Pra, nëse në listën e ndonjë partie politike nuk ka kandidatë fitues femra apo meshkuj, atëherë mandatin e merr partia aleate, në të kundërt do të gjobiten.

Nga një mbledhje e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore. Gazeta Si, 23 tetor 2019

Ekspertët e komisionit kanë vendosur që të shtojnë edhe një nen në Kodin Zgjedhor sa i përket mandateve të këshilltarëve bashkiakë. Në nen propozohet se mandati i ndërprerë në këshillat e bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. Kur vakanca i përket një mandati të fituar nga gjinia më pak e përfaqësuar, ajo plotësohet nga kandidati i parë në listë i gjinisë përkatëse pavarësisht renditjes në listë.
“Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Në rast se emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar mandati i kalon kandidatit të gjinisë përkatëse të partisë politike të koalicionit me herësin më të lartë. Ky proces zëvendësimi vijon duke garantuar përherë plotësimin e vakancës vetëm me kandidatë të së njëjtës gjini”, thuhet në këtë propozim.


Në propozimet e Kodit Zgjedhor është përcaktuar se në listat për kandidatët për deputetë duhet të zbatohet në masën 30 përqind kriteri i barazisë gjinore dhe se në masën 50% të përbërjes së Kuvendit të Shqipërisë. “Kodi Zgjedhor nxit barazinë gjinore për organet e zgjedhura dhe administratën zgjedhore përmes: a) vendosjes së kuotave gjinore në jo më pak se 30 për qind të përbërjes së Kuvendit të Shqipërisë dhe 50 për qind të organeve të njësive bazë të qeverisjes vendore, b) vendosjes së kuotave gjinore në jo më pak se 30 për qind të përbërjes së të gjithë niveleve të administratës zgjedhore, c) marrjes së masave në reduktimin dhe eliminimin e votimit për të tretët, votimit familjar, ruajtjen dhe garantimin e fshehtësisë së votimit. ç) hartimit dhe publikimit të statistikave operative për pjesëmarrjen e gjinisë më pak të përfaqësuar në ditën e zgjedhjeve, me qëllim sensibilizimin dhe marrjen e masave të duhura për të nxitur më tej këtë pjesëmarrje”, thuhet në amendamentin e nenit 3 të draftit.

Shitblerja e votës, krerët e partive duhet të firmosin deklaratë

Shitblerja e votës ka qenë një ndër akuzat kryesore të opozitës në lidhje me procesin zgjedhor. PD-ja akuzon se strukturat shtetërore dhe PS-ja ka kryer shitblerjen e votës. E njëjta akuzë është bërë edhe PS-ja për zona të caktuara. Blerja e votës dhe e mandateve çoi në vendimin e opozitës për të bojkotuar Parlamentin dhe zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Me propozimin e ri kërkohet që të firmoset një deklaratë ku kryetarët e partive zotohen se do të refuzojnë praktikat e blerjes së votës. Për këtë, subjektet politike duhet të dorëzojnë në KQZ “deklaratën me shkrim të nënshkruar nga kryetari i partisë politike ku përmendet angazhimi solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet. Teksti i deklaratës përcaktohet me vendim të KQZ-së”.


Gjithshtu është propozuar që të ketë ndëshkime për partitë dhe kandidatët që ofrojnë punë në këmbim të votave. “Subjekteve zgjedhore u ndalohet dhe mbajnë përgjegjësi penale në rast se ofrojnë ose japin të holla, të mira materiale, premtojnë për vend pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë, për zgjedhësin ose persona të tjerë të lidhur me të, me qëllim marrjen e firmës për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme për mbështetjen e një kandidati ose partie politike”, thuhet në nenin 10 të këtij drafti.
Në amendament propozohet se ndalohet përdorimi i burimeve njerëzore përfshi edhe presionin ose ofrimin e përfitimeve të nëpunësve publikë ose nxënësve për të marrë pjesë në veprimtari që lidhen me fushatën zgjedhore jashtë orarit të punës ose mësimit dhe transmetimi nga Radio Televizioni Publik i aktiviteteve të institucioneve publike qendrore dhe vendore për qëllime zgjedhore. Një aktivitet është për qëllime zgjedhore kur ai promovon arritjet institucionale, investimet ose progresin me punët publike ose kur promovon aspekte specifike të programit zgjedhor të subjektit zgjedhor.

Nga fushata elektorale të partive politike

Financimet dhe gjobat
Në nenet e posaçme janë propozuar dhe mënyra e financimit të partive politike dhe gjobat në rast se konstatohet shkeljet ligjore. Kështu është ulur vlera e dhurimit të personave nga 100 mijë lekë në 30 mijë. Ndërsa për “personat fizikë ose personat juridikë që i kanë bërë dhurime një partie politike apo kandidati në zgjedhje nuk mund të përfitojnë për periudhën deri 3 vjet pas datës së zgjedhjeve, kontrata publike, kontrata të partneritetit publik privat ose në çdo mënyrë tjetër fonde me vlerën totale që tejkalon shumën prej 10 milion lekë, përfshirë edhe si nënkontraktues të një kontrate/koncesioni publik”.

KQZ ka të drejtë të verifikojë shpenzimet e partive politike dhe në draft propozohet se mosbashkëpunimi ose refuzimi për të bashkëpunuar, asgjësimi i dokumenteve, vonesat ose sjellja e papërshtatshme në procesin e verifikimit të kryer nga KQZ-ja, raportohet në prokurori si vepër penale, sipas nenit 248 të Kodit Penal, si dhe ndëshkohen administrativisht prej saj në përputhje me nenin 173 të këtij Kodi. Në nenin e parë për shpërdorimin e detyrës, parashikohet dënohet me burgim deri në shtatë vjet. Ndërsa për nenin e dytë parashikohet burgim nga 5 deri 10 vjet, në rast se përsëritet më shumë se një herë.

Kryesocialisti Edi Rama në fushatën elektorale të 2019, ku PD dhe LSI refuzuan të merrnin pjesë. Gazeta Si 23 tetor 2019

Fondet jopublike të përftuara nga një parti politike, identiteti i dhuruesit të të cilave nuk dihet ose nuk përcaktohet qartësisht, transferohen në llogarinë e KQZ-së. Moskalimi çon në konfiskimin e fondeve të marra dhe në një gjobë të barabartë me shumën e fondeve të marra. Është përcaktuar se pranimi i fondeve private më vlerë më të madhe se 30 mijë lekë dhe kur transaksioni nuk është bërë përmes llogarive bankare dënohet me një gjobë të barabartë me shumën e dhuruar dhe në kalimin e fondeve të marra për llogari të KQZ-së. Ndërsa pranimi i fondeve nga donatorë të ndaluar që kanë përfituar tendera e koncesione, e nga përfaqësues të medias dënohet me dyfishin e shumës së fondeve të marra.

Propozimi për gjobat
Sanksione në lidhje me financimin e fushatës

Shkelja e dispozitave për financimin e fushatës zgjedhore nga personi përgjegjës i financës së një partie politike dënohet me një gjobë nga 100 000 deri 200 000 lekë.

Pengimi ose mosbashkëpunimi i subjektit zgjedhor me audituesin e KQZ-së dënohet me një gjobë nga 2 000 000 deri 3 000 000 lekë, si dhe me pezullim të financimit publik të partisë politike për deri në 5 vjet.

Mosparaqitja e një raporti financiar për fushatën brenda afatit ligjor dënohet me një gjobë prej 2 000 000 lekë.

Paraqitja e raporteve në shkelje të formateve të standardizuara të miratuara nga KQZ-ja dënohet me gjobë prej 500 000 deri 1 000 000 lekë.

Shkelja e përcaktimeve të bëra në nenin 90 të këtij Kodi nga dhuruesit ndëshkohet me gjobë deri në 30 për qind të shumës së dhuruar.

Mosbashkëpunimi ose refuzimi për të bashkëpunuar, asgjësimi i dokumenteve, vonesat ose sjellja e papërshtatshme e gjatë procesit të verifikimit nga KQZ-ja ndëshkohet me gjobë nga KQZ-ja prej 100 000 lekë deri në 3 000 000 lekë.

Shkelja e kufirit maksimal të shpenzimeve nga një subjekt zgjedhor dënohet me një gjobë prej 5 000 000 lekë ose me një gjobë të barabartë me shumën që ka kaluar kufirin, cilado që është më e lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë