Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore. Pavarësisht se mazhoranca ka njoftuar selinë blu për të marrë pjesë në mbledhjen e së enjtes, ku opozita ka një vend bosh si vëzhguese, mësohet se PD-ja ka vendosur që të mos marrë pjesë.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi tha se PD dhe opozita i mbetet qëndrimit publik të shpallur në tryezën e organizuar nga OSBE. “Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë për Reformën Zgjedhore në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse dhe në barazi të plotë me palën tjetër. Këto nuk i garanton komisioni jolegjitim i Reformës Zgjedhore”, tha Bardhi.
PD, në tryezën e OSBE, kërkoi krijimin e një strukture të posaçme për Reformën Zgjedhore me pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve, me qëllim reflektimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR për zgjedhjet. Propozimet e PD për ligjin zgjedhor janë edhe pjesë e platformës së opozitës për zgjidhjen e krizës. PD pritet të shprehet edhe nëse bie dakord për ndryshimin e sistemit dhe cilin do të mbështesë.
Ndërkaq mësohet se opozita re në Parlament e cilëson draftin e publikuar në media si të paplotësuar, pasi aty mungojnë propozimet e tyre; propozimne që kanë të bëjnë me ndryshimin e sistemit zgjedhor. “Në takimin e fundit komisioni për reformën zgjedhore ra dakord që të merremi me pikat që janë më pak problematike, që janë jo të kontestueshme për opozitën dhe PS-në. Ky draft është një draft i pjesshëm nuk merret me çështje thelbësore, por me disa pika që nuk janë të kontestuara nga palët. Prandaj dhe është bërë propozimi, që propozimi i parë që do të vijë në komision për sa i përket rekomandimeve të OSBE do të merret me pikat më pak të kontestueshme" tha demokratja Rudina Hajdari për mediat.
Bashkëkryetarja e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore, Hajdari theksoi “unë do të merrem me ndryshimin e sistemit, do të jem në atë grup. Në draftin që ka dalë nga Kuvendi, besoj që është një problem teknik. Patjetër që do të jem e përfshirë, pasi jam bashkëkryetare”.
Edhe deputeti tjetër i opozitës Ralf Gjoni theksoi se edhe ata si opozitë do të kenë draftin e tyre dhe për këto po punohet edhe me ekspertët ndërkombëtare.
Sakaq mazhoranca ka shprehur vendosmërinë të miratojë ndryshimin e Kodit Zgjedhor brenda muajit dhjetor, duke plotësuar si fazë të parë zbatimin e rekomandimeve të OSBE-së dhe të ODIHR-it.
Komisioni pritet të mblidhet nesër në ora 09:30 dhe mbledhja do të zhvillohet me dyer të mbyllura. Në rendin e ditës sipas njoftimit të Kuvendit janë konstituimi dhe raportimi i grupeve të punës dhe prezantimi i paketës së parë që adreson rekomandimet e ODIHR-it për fushatën zgjedhore, kuotat gjinore, financimin e fushatës, regjistrimin e subjekteve dhe abuzimin e administratës.
Ndërkaq në të njëjtën orë në selinë e PD-së pritet të mblidhen edhe ekspertët e PD-së dhe LSI-së, si dhe të partive të tjera aleate për diskutuar mbi draftin që opozita po përgatit. “Opozita e bashkuar është thellësisht e angazhuar për reformën zgjedhore. Ne e kemi bërë të qartë te tryeza e organizuar te OSBE në qëndrimin tonë se do të japim kontributin tonë për këtë reformë zgjedhore”, thuhet në një reagim të mëvonshëm të PD-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.