Politike

Reforma, PS kundër propozimeve të PD, përplasje edhe për sistemin me opozitën e re


Për dy orë mbledhje të zhvilluar me dyer të mbyllura komisioni i Reformës Zgjedhore ka debatuar mbi hapat që do të ndërmerren në vazhdim për sa i përket ndryshimit të ligjor zgjedhor. Mësohet se komisioni ka vendosur që brenda javës së ardhshme të mblidhet sërish dhe të diskutohet mbi rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR-it për reformën zgjedhore. Ndërsa dy bashkëkryetarët e komisionit të reformës, Damian Gjiknuri i PS-së dhe Rudina Hajdari e opozitës patën divergjenca në deklaratat e tyre sa i përket çështjes së asaj çfarë është arritur, ku Hajdari shprehet se është caktuar një grup pune për çështjen e sistemit zgjedhor, ndërsa Gjiknuri theksohet se kjo mund të diskutohet për në muajin janar. Për bashkëkryetarin socialist primare është përgatitja e draftit të ri të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, sipas rekomandimeve të raportit më të fundit të OSBE-së dhe ODIHR-it për zgjedhjet.
“Rekomandimet e OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore janë të realizueshme brenda dhjetorit. Natyrshëm që edhe çështja e sistemit zgjedhor, që kërkohet nga opozita jo parlamentare është pjesë e diskutimit. Do të adresohen me rekomandimet e OSBE ODIHR. E bëmë të qartë që çështja e sistemit apo vota e emigrantëve, do të duan më shumë kohë, si financimi apo reformimi i partive politike. Meqë ne nuk e kemi PD-në në tavolinë, këto çështje do t’i diskutojmë në një tavolinë më të gjerë, që çdo rekomandim të jetë i diskutuar për një konsensus të përgjithshëm”, deklaroi Gjiknuri.

Bashkëkryetari socialist i komisionit, Damian Gjiknuri. Gazeta Si, 10 tetor 2019


Socialisti hodhi idenë për të zhvilluar një tjetër tryezë ku e pranishme të jetë edhe PD-ja, ndërsa la të hapur mundësinë që edhe opozita jashtë parlamentare të propozojë opsionet e tyre për reformën zgjedhore. Gjiknuri hodhi poshtë edhe propozimin e PD-së dhe të aleatëve të saj që të krijohet një tryezë tjetër e veçantë për të realizuar një reformë nën monitorimin e ndërkombëtarëve. “Nuk është në autoritetin tim të merremi me strukturë të posaçme nëse në nivel bilateral. Për këtë e ka dhënë përgjigje kryetari i PS-së, Parlamenti është institucioni që miraton ligjer, nuk ka institucione të tjera. PD të zgjedh rrugë komunikimi jemi të gatshëm ta marrim parasysh. Brenda dhjetorit kemi mundësi të adresojmë çështjet e ODIHR.” theksoi ai.

Deputetja Rudina Hajdari duke folur pas mbledhjes së komisionit të reformës zgjedhore. Gazeta Si, 10 tetor 2019

Ndërsa ka hedhur poshtë edhe kërkesën e paraqitur që ai të mos jetë drejtues në këtë komision, duke e cilësuar si të ezauruar. Bashkëkryetarja demokrate Rudina Hajdari u shpreh se nuk do të ketë dy reforma, por vetëm një dhe se ajo do të jetë e plotë. Në një deklaratë për mediat, ajo ka theksuar se për këtë do të ketë një grup pune të posaçëm që do të merret me produktin për ndryshimin e sistemit. “Ftesa mbetet e hapur për PD apo të gjitha partitë jashtë sistemit, pasi duam konsensus të gjerë, sepse në fund ky ndryshim bëhet për shqiptarët jo për individë të caktuar, t’i japim fund mënyrës si bëhet politikë sot, duam reformë tërësore që e sheh çdo hallkë të sistemit me vëmendje. Nuk mund të ketë reformë në dy faza. Nuk na ndalon njeri të diskutojmë rekomandimet e OSBE/ ODIHR dhe ndryshimet e sistemit.”- ka thënë deputetja demokrate.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë