Politike

Si mund ta zgjidhë krizën reforma zgjedhore?

Edi Ramën dhe Lulzim Bashën e ndau gjithçka në leximin dhe interpretimin e raportit përfundimtar për zgjedhjet e 30 qershorit të publikuar zyrtarisht ditën e enjte nga OSBE/ODIHR, përveç një pike; nevojës për reformën zgjedhore.

Fillimisht ishte kreu i Qeverisë, që pasi vlerësoi se raporti legjitimonte 30 qershorin dhe përsëriste ofertën e mazhorancës për dialog me të gjithë, pa përjashtim, duke përfshirë këtu edhe opozitën jashtëparlamentare, por me këmbënguljen se zgjedhje para 2021 nuk ka.

https://twitter.com/ediramaal/status/1169540672392695808

E duket se pas raportit të OSBE/ODIHR, që fshikullonte edhe opozitën për bojkotin dhe thirrjet e tjera për bojkot të procesit, reforma zgjedhore është përfshirë tek prioritetet e Lulzim Bashës. Kreu i demokratëve e deklaroi këtë në përfundim të një takimi me aleatët mbrëmjen e së enjtes, ku temë kryesore ka qenë pikërisht raporti në fjalë.

Basha tha se pa reformimin e gjithanshëm, largimi i Edi Ramës do të ishte i pamjaftueshëm.

“Këtu përfshihet edhe një reformë e thellë zgjedhore, kushtetuese dhe padyshim një reformë e thellë ekonomike e vendit. Ky është synimi ynë. Largimi i Edi Ramës do të ishte tërësisht i pamjaftueshëm. Kush mendon se kjo betejë ka nisur, ik ti të vi unë, e ka shumë gabim. Kjo betejë ka nisur për një transformim, për t’i dhënë fund numrit të madh të problemeve të akumuluara këto 30 vite, për t’i dhënë fund tranzicionit dhe për të bërë realitet atë aspiratë që kemi dëgjuar të kumbojë dhe do të vazhdojë të kumbojë edhe më fort në sheshet e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, për një Shqipëri normale, për një Shqipëri si gjithë Europa”, u shpreh ai.

Si Rama, ashtu edhe Basha iu referohen rekomandimeve të OSBE/ODIHR si pikënisje për reformën zgjedhore. Por, çfarë rekomandon OSBE? Krahas përsëritjes së rekomandimeve të dhëna pas zgjedhjeve të 2017, OSBE ka shtuar edhe listën me rekomandimet e reja. Thelbi i tyre është angazhimi i palëve në një dialog gjithëpërfshirës mbi reformën zgjedhore, garantimin e të drejtës së zgjedhësve për zgjedhje të lira, eleminimin e problemit të gjatë të keqpërdorimit të burimeve administrative, njerëzore dhe financiare, forcimin e pavarësisë dhe paanshmërisë së administratës zgjedhore dhe hetime efektive të shkeljeve elektorale.

Megjithatë, ajo që ndan dy palët për të hyrë në këtë dialog për momentin duket ende një pengesë e pakapërcyeshme. Rama kërkon realizimin e reformës zgjedhore për zgjedhjet e 2021, ndërsa Basha këmbëngul për zgjedhje të parakohëshme dhe thotë se raporti i OSBE nuk rrëzoi vetëm 30 qershorin, por gjithë sistemin e shtetit privat, siç akuzon se e ka ngritur Edi Rama.

Në mes janë ndërkombëtarët. Amerikanët përmes të dërguarit të posaçëm, Matthew Palmer dhe kreut të zyrës për Europën Qendrore dhe Jugore, David Kostelancik i mëshojnë miratimit të reformës zgjedhore gjithëpërfshirëse, që do të thotë bashkë me opozitën jashtëparlamentare, brenda këtij viti.

Lulzim Basha me drejtorin e Zyrër për Europën Qendrore dhe Jugore në DASH, David Kostelancik. Gazeta Si, 6 shtator 2019

Ky angazhim i ndërkombëtarëve duket se po kushtëzon edhe vendimin e opozitës për të dalë në protestë para Kryeministrisë. Një vendimmarrje e tillë mund të mbërrijë pas mesit të shtatorit, kohë kur Tirana do të vizitohet nga zv.kryetari i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman, Johann David Wadephul dhe Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Roberto Montanella.

Montanella si përfaqësues i OSBE do të ngrejë shqetësimin e institucionit që përfaqëson për nevojën e reformës zgjedhore gjithëpërfshirëse, që të përmbyllet para se Shqipëria të marrë Presidencën e OSBE-së, pra brenda këtij viti. Edhe nga Gjermania pritet të kërkohet e njëjta gjë.

Ky presion i ndërkombëtarëve mund të detyrojë palët që të bëjnë hapa pas. Një skenar se cilat do të jenë pikat ku mund të lëshojnë palët e deklaroi Enno Bozdo nga Partia Demokratike.

Bozdo thotë se PD mund të hyjë në zgjedhje me Edi Ramën Kryeministër, por me kushtin që opozita të marrë një garanci nga ndërkombëtarët për proces të ndershëm dhe të lirë dhe që zgjedhjet të zhvillohet pranverën e ardhshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë