Futboll

“Dopiogjashta” në dorë, FSHF nuk di ç’të bëjë me Superioren!

Kurrë më parë futbolli elitar në Shqipëri nuk ka qenë në këtë situatë. Gjysma e skuadrave pjesëmarrëse në Superiore kanë probleme shumë serioze pa nisur kampionati dhe kjo do të thotë se që në këtë moment gara humbet vlerën e saj. Një situatë kaotike, së cilës FSHF-ja nuk di çfarë drejtimi t’i japë në këtë moment, kur i ka mbetur “dopiogjashta” në dorë.

Skënderbeu, ekipi më i mirë i 10-vjeçarit të fundit, është dënuar nga UEFA me 10 vjet jashtë Kupave të Europës për trukim ndeshjesh. Federata ende nuk ka mbajtur asnjë qëndrim zyrtar për këtë çështje, por nuk përjashtohet mundësia e një dënimi për korçarët prej institucionit që drejton futbollin në vendin tonë. Një dënim që nënkupton edhe zbritjen nga Superiorja. Katër skuadra të tjera të sezonit të ri në elitë, Tirana, Vllaznia, Flamurtari dhe Luftëtari kanë afat deri në fund të këtij muaji për të shlyer borxhet, ose të paktën për të nisur shlyerjen, që të licencohen nga FSHF-ja, që së fundi ka përdorur gjuhën e ultimatumit për klubet në fjalë. Bëhet fjalë për borxhe në shifra të larta, më shumë se 1 milion euro, që zor se këto klube mund t’i shlyejnë, duke ditur problematikën e likuiditetit financiar të klubeve të futbollit në vendin tonë.

Nga një ndeshje mes Vllaznisë dhe Tiranës, dy klube që rrzikojnë të mos licencohen

Presidenti i Luftëtarit, Grigor Tavo, është dorëzuar. Ai ka dhënë dorëheqjen, duke parë pamundësinë për të vazhduar financimin te gjirokastritet, për t’u hapur rrugë investitorëve të rinj. Flamurtari nuk ka bërë asnjë hap përpara për t’i dhënë zgjidhje problemit, ndërsa te Tirana dhe Vllaznia, në vend që të lajnë borxhet dhe të stabilizojnë anën financiare të klubit, vazhdojnë të bëjnë shou me blerje lojtarësh, që nesër do të jetë një borxh i ri. Mbetet për t’u parë qëndrimi i Federatës në fund të muajit korrik: do të tolerojë siç ka bërë deri tani, apo do të veprojë me “dorë të hekurt”, me parimin “nuk ka më kthim prapa”. Nëse zgjedh variantin e dytë, Superiorja mbetet me gjysmën e ekipeve dhe këtu lind një problem jashtëzakonisht i madh.

Në opinionin sportiv kanë filluar të qarkullojnë zëra për futjen në Superiore të Besës dhe Dinamos, dy skuadrave që u renditën të dytat në grupet e tyre në kampionatin e fundit të Kategorisë së Parë. Logjika është se sportivisht do t’u takonte Besës dhe Dinamos të zëvendësonin Luftëtarin e kërcënuar nga falimentimi dhe Skënderbeun e kërcënuar nga një dënim i FSHF-së. Janë hipoteza të momentit, ndërsa Gazeta Si mëson nga burime pranë FSHF-së se situata është tejet e komplikuar dhe nuk ka asnjë variant bindës për kampionatin e ri të Superiores. Gjasat janë që elita e futbollit shqiptar të vazhdojë për inerci me këtë gjendje agonie, sepse po të veprohej sipas “ligjit”, do të bëhej një “çorbë” e paparë.

Lojtarët e Flamurtarit, një tjetër ekip me probleme borxhesh

Mirë Skënderbeun dhe Luftëtarin mund t’i zëvendësojnë Besa dhe Dinamo, por nëse mbeten jashtë edhe Tirana, Vllaznia dhe Flamurtari, çfarë do të ndodhë? Federata nuk di çfarë drejtimi t’i japë Superiores, kuptohet qartë. Është situata që e ka krijuar me duart e saj, me veprimet dhe mosveprimet e saj. Fakt është që kurrë më parë futbolli ynë nuk ka qenë në të tilla kushte.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë