Atletike

Dopingu/ Pezullohet atletja kampione bote, parregullsi në pasaportën biologjike

Gazeta Si – Sportistja keniane që garon për Kazakistanin, në korrik fitoi medaljen e artë në Botërorin e atletikës, duke u bërë atletja e tretë më e mirë e të gjitha kohërave.

Mes rasteve të shumta të dopingut që sistematikisht godasin botën e atletikës, ky bën më shumë zhurmë, sepse i takon një kampioneje bote në fuqi. ‘Athletics Integrity Unit’, enti i pavarur që kryen kontrollet për llogari të federatës ndërkombëtare, ka bërë me dije se Norah Jeruto, 27-vjeçarja keniane që më 20 korrik u shpall kampione bote në 3000 metra me pengesa, është pezulluar provizorisht.

Norah Jeruto, kampione bote ne 300 metra me pengesa. Gazeta Si, 8 prill 2023

Atletja që garon për Kazakistanin dyshohet se ka shkelur rregullat antidoping. Anomalitë kanë të bëjnë me pasaportën biologjike të atletes, “dokumenti” me të dhënat e gjakut të një sportisti për një periudhë të caktuar kohore.

Jeruto ka fituar më parë medaljen e artë në kampionatet afrikane në 2016-ën, 6 etapa të Diamond League, duke përfshirë edhe finalen e Zyrihut 2021. Ajo qëndron në majat botërore të disiplinës së saj, ku garon edhe kampionia jonë, Luiza Gega. Prej janarit 2022 përfaqëson Kazakistanin dhe në Oregon u bë kampionia e parë e botës për një vend të Azisë qendrore.

Me kohën 8’53”02, ajo regjistroi paraqitjen botërore më të mirë nga 2018-a, duke u bërë sportistja e tretë më e mirë e të gjitha kohërave, pas kenianes Beatrice Chepkoech (8’44”32) dhe patriotes tjetër që përfaqëson Bahrejnin Ruth Jebet (8’52”78).

Jeruto, pas triumfit në Botëror ishte zhdukur nga skena, për t’u rishfaqur më 25 shtator në kampionatin kazak, në garën e 10 kilometrave, si dhe më 10 shkurt në kampionatin aziatik të sallave të mbyllura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë