Ne rrjet

Dollia e paqes: Historia e diplomacisë gastronomike

Nga Gazeta Si - “Kush nuk pi me mua, le ta kapë murtaja!”. Në tregimin e Alessandro Blasettit të vitit 1942, ngjarjet zhvillohen në Firencen e Mesjetës së drejtuar nga Lorenzo de Medici, kur një tallje e rëndë shkakton një masakër. Por shumë më shpesh, dollitë janë një mënyrë për të filluar bisedimet, apo vënë vulën një negociate paqeje midis 2 armiqve të mëdhenj.

Amerika dhe Kina kishin dikur mosmarrëveshje të forta midis tyre. Ato dukeshin të pozicionuara në qasje të papajtueshme, dhe shkëmbenin vazhdimisht akuza reciproke për ligësi dhe mizori. Kjo deri në shkurt 1972, kur presidenti i atëhershëm amerikan, Richard Nixon, festoi me një dolli fillimin e pajtimit me armikun e tij të deri djeshëm Mao dhe kryeministrin e atëhershëm kinez Zhou Enlai.

Nixon e quajti atë “javën që e ndryshoi botën”. Lufta në Vietnam vazhdonte me një vrull të plotë, me të gjitha masakrat e saj, labirintet në tunele, bombardimet pa dallim e kështu me radhë. Erërat e luftës po frynin fuqishëm edhe në pjesën tjetër të Azisë dhe Lindjes së Mesme. Megjithatë, nën sytë e mahnitur të gjithë botës, ndodhi e pamundura. Dolli të tjera në Moskë në maj të po atij viti, konfirmuar pretendimin e SHBA-së se afrimi me Kinës, nuk ishte një shenjë e rrethimit të Bashkimit Sovjetik. Ndër luftërat që rrezikonin të shpërthenin, më e mundshme në atë moment ishte një konflikt, ndoshta edhe bërthamor, midis Bashkimit Sovjetik dhe Kinës.

Udhëheqësit komunistë në Moskë, u tmerruan nga mundësia e një marrëveshjeje SHBA-Kinë në dëm të tyre. Ishte e qartë se normalizimi i raporteve Kinë-SHBA, ishte një zgjedhje strategjike kundër një fuqie të tretë të madhe, BRSS. Dhe qetësimi i liderëve sovjetikë ishte një kryevepër e diplomacisë amerikane.

“Ne pimë mui-tai në Pekin dhe më pas vodka në Moskë”, ishte mënyra sesi mund të përmblidhet me një fjali ajo strategji. Ishte vizita e parë e një presidenti amerikan në kryeqytetin sovjetik që nga fillimi i Luftës së Ftohtë. Sigurisht, nuk ishte vizita e parë e Nixon.

Ai kishte qenë atje si zëvendëspresident i Eisenhower në korrik 1959, për të inauguruar Ekspozitën Kombëtare Amerikane në Parkun Sokolniki. Pikërisht aty, Nixon dhe Kruscev patën shkëmbimin e tyre të famshëm të batutave, përballë një modeli të kuzhinës amerikane, një nga simbolet e mirëqenies në SHBA.

Në vitin 1972, ai që ngriti dolli me Nixon ishte Breznev. Shkëmbimi alkooliko-diplomatik ishte shumë i frytshëm. Pasi solli ndër të tjera edhe nënshkrimin e marrëveshjeve të para për kufizimin e armëve strategjike bërthamore, SALT, të cilat tani Putin i ka anuluar. Sigurisht që Breznev rrëkëlleu disa gotë vodka njëra pas tjetrës.

Ai hante pak nga ato që shtroheshin në banketet shtetërore. Nuk e pëlqente havjarin. Kur kthehej në apartamentin e tij, sipas asaj që rrëfyen më vonë kuzhinierët e tij, konsumonte një pjatë shumë të thjeshtë me patate të përziera me salcë kosi. Por nga vodka nuk hoqi dorë asnjëherë.

Ka nga ata që thonë se alkooli të jep një avantazh strategjik në negociatat komplekse, sidomos nëse njëra nga dyja palët është mësuar ta mbajë më mirë atë. Por është konstatuar edhe se euforia që shkakton alkooli në përgjithësi, e nxit një delegacion negociator të mos i kuptojë plotësisht mundësitë që ofron pala tjetër.

Apo edhe t’i lejojë vetes të zbulojë sekretet e strategjisë së tij në dobi të bashkëbiseduesve që ka përballë. Një shembull është dëshmia e Edward Rowney, gjeneralit që shërbeu si konsulent i presidentëve demokratë dhe republikanë në negociatat për çarmatimin bërthamor.

Në kujtimet e tij, ai pretendon se sovjetikët përfitonin shumë nga dollitë, pasi e mbanin më mirë vodkën. Nuk dihet nëse Nixon piu vodka në Moskë. Por ka të ngjarë që ta kishin këshilluar të kufizohej vetëm në lagien e buzëve me të, ashtu siç gjatë vizitës në Kinë që zhvilloi disa muaj më parë, e kishin këshilluar që të mos guxonte të rrufiste gjithë gotën me mao-tai.

Edhe sot në bankete të mëdha në Kinë, njerëzit ngrenë dolli me një alkool të fortë të distiluar nga drithërat. Është shumë i fortë, 53 gradë, pra më i fortë se uiski dhe rakia. Dhe të bie lehtë në kokë. Në një telegram të koduar drejtuar Uashingtonit, ndihmësi i atëhershëm i Henry Kissinger-it, Alexander Haig, e paralajmëroi që “presidenti nuk duhet në asnjë rrethanë të pijë alkoolin e derdhur në gotën e tij, dhe as kur u përgjigjet dollive”.

Dhe shtoi se për të shmangur çdo keqkuptim, gotat duhet të ngrihen vetëm për të shoqëruar dollitë, por jo si shoqëruese gjatë ngrënies. Dollitë e Nixon dhe Kissinger në Kinën e Maos janë një shembull tipik i diplomacisë dhe retorikës. Sa shumë kujdes treguan Zhou dhe Mao në gjërat që thanë atë ditë!

Ata e kishin studiuar veten mirë, ndoshta më mirë sesa bëjnë sot udhëheqësit. Përveç bashkëbiseduesve amerikanë, ata synonin edhe audiencën e tyre. Pra kinezëve u duhej shpjeguar arsyeja përse pas dekada urrejtjeje të nxitur sistematikisht kundër “imperialistëve amerikanë”, ata ftoheshin tani, trajtoheshin me nderim, për ta shtroheshin bankete luksoze dhe quheshin “miqtë amerikanë”.

Asgjë nuk iu la rastësisë. Ka studime që rindërtojnë në detaje se si ndryshuan tonet në muajt para vizitës së Nixon në median e destinuar për publikun e gjerë, por mbi të gjitha në botimet e brendshme të destinuara për zyrtarët e partisë komuniste.

Mao ishte një despot absolut, por ai duhej të ruhej nga opozita brenda grupit në pushtet, nga ata që e kundërshtonin si të tepruar hapjen ndaj amerikanëve. Në shënimet e bisedimeve konfidenciale, të regjistruara nga njëri prej shoqëruesve të Kissinger dhe Nixon, ambasadori i ardhshëm i SHBA në Pekin, Winston Lord, del se është Mao, ai që u thotë bashkëbiseduesve të tij se “dikush nga ne këtu ishte kundër”.

Në veçanti Lin Biao, pasardhësi zyrtar i Maos i caktuar që herët, avioni i të cilit u rrëzua mbi Mongoli teksa po përpiqej të arratisej në Bashkimin Sovjetik. Nixon iu përgjigj se edhe në Amerikë ka pasur nga ata që ishin kundër këtij afrimi. Se edhe ai kishte disa shpjegime për t’i dhënë publikut amerikan, të cilit Kina komuniste i ishte paraqitur prej dekadash si “rreziku i verdhë” dhe burimi i çdo komploti ndërkombëtar.

Deri në atë moment për SHBA-në Kina nuk ishte vetëm një kundërshtare strategjike, por një armike e pabesë dhe vdekjeprurëse. Vetëm 2 vite më parë, amerikanët kishin zhvilluar një luftë shumë të egër kundër miliona “vullnetarëve” të dërguar nga Mao për të mbështetur Korenë e Kim Il Sung.

Madje gjenerali MacArthur donte të përdorte bombën atomike. Por ai u ndalua, madje u shkarkua nga detyra nga Truman. Ndaj ishte e nevojshme që atyre t’u shpjegohej se përse brenda 24 orësh, komunistët kinezë u bënë bashkëbisedues të vlefshëm dhe të mirëpritur, edhe pse jo ende miq dhe partnerë.

Ky është një problem me të cilin po përballet sot edhe Joe Biden. Qindra diplomatë dhe zyrtarë të lartë të administratës së tij, kanë dhënë dorëheqjen në shenjë kundërshtimi, në disa raste edhe publik, për politikën e tij të jashtme. Dhe konkretisht me qëndrimet për luftën në Ukrainë dhe mbështetje për Izraelin.

51 vite më parë Nixon kishte një tjetër disavantazh të madh në krahasim me Maon. Ai u detyrua t’i nënshtrohej zgjedhjeve të lira. Përveç të vetëve, Nixon u ankua se duhej të përballej me një media amerikane armiqësore ndaj tij. Por këtë e bënte privatisht dhe asnjëherë publikisht.

Ai e dinte mirë se kjo e fundit do t’i kthehej mbrapsht. Nixon pati ndikimin më të madh në imazhin e tij kur bota e pa në televizor pranë Zhou Enlait, i cili me shkopinjtë e tij dhe me elegancën e tij tipike i servirte ushqimet.

Të qenit bashkë në tavolinë, siç dhe ngritja e dollisë, është momenti më i lartë i diplomacisë ndërkombëtare. Kështu ka qenë gjithmonë. Sepse kuzhina flet një gjuhë universale, pavarësisht nga veçoritë dhe kontingjentet politike apo edhe të luftës. Ajo është universale po aq sa edhe muzika.

Burimi: Il Foglio. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë