Shqipëria U-21 ka mundësinë të përmirësojë sadopak imazhin e saj në ndeshjet kualifikuese të Europianit. Skuadra e trajnerit Bushi mban vendin e parafundit në Grupin 2, me 6 pikë në 8 ndeshje, me vetëm 1 fitore, 3 barazime dhe 4 humbje. Përpara ka ndeshjet me Spanjën kryesuese dhe Estoninë e vendit të fundit. Spanja është e shkëputur me pikë dhe mund të “tolerojë” pak në ndeshjen që do të luhet më 11 tetor në stadiumin “Selman Stërmasi”, ndaj dhe kuqezinjtë duhet të shfrytëzojnë rastin. Kurse ndeshja me Estoninë luhet në transfertë.
Për këtë ndeshje kanë folur në konferencë shtypi dy nga lojtarët e ekipit Shpresa, Albi Doka dhe Gentian Selmani. Janë dy lojtarë që luajnë në kampionatin shqiptar, i pari me Tiranën dhe i dyti me Laçin. Mbrojtësi i bardhebluve, Albi Doka, theksoi: “Luajmë së pari me Spanjën, një kundërshtar shumë i fortë, por nuk e kemi frikë. Dihet potenciali i Spanjës, por do të bëjmë më të mirën në fushë. Duam t’u bëjmë një mbyllje sa më pozitive këtyre eliminatoreve. Kemi bërë ndeshje të mira dhe duhej të kishim më shumë pikë, por jemi ndëshkuar nga disa gabime. Në këto dy ndeshje të radhës do të japim maksimumin për të marrë sa më shumë pikë”.
Edhe portieri Gentian Selmani është optimist për ndeshjet me Spanjën dhe Estoninë: “Jemi jashtë objektivit, por i kemi vlerësuar maksimalisht dy ndeshjet e radhës. Skuadra ka dhuruar emocione në ndeshjet e mëparshme, por është penalizuar në rezultate, pasi ka pasur momente të ndryshme shpërqendrimi. Spanja është shumë e fortë, por ndaj saj luajmë pa druajtje. Do të japim 200% të mundësive tona për rezultat pozitiv”, - tha portieri i Laçit.
Trajneri Alban Bushi ka humbur për këto dy ndeshje mbrojtësin e majtë Esin Hakaj, i cili luan me Teutën dhe u dëmtua gjatë ndeshjes me Kastriotin në kampionat. Në vend të tij është thirrur Ardit Toli, që luan me Kisamikos në Greqi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.