Politike

“Do të nxitet konflikt social”, PD kundër nismës për qiratë

Nisma e qeverisë për të ndaluar pagesën e qirasë nga qiramarrësit e bizneseve të mbyllura, sipas Partisë Demokratike është një vepër e turpshme që mëton të ndajë shqiptarët.  

“Ky është një vendim antikushtetues, i padrejtë dhe i rrezikshëm”, thuhet që në fillim të qëndrimit zyrtarë të PD-së.

“Për të mbrojtur oligarkët, për të mbrojtur paratë e vjedhura, Edi Rama ka braktisur qytetarët dhe bizneset dhe tani po mundohet që t’i përplasë ata me njëri-tjetrin. Në Shqipërinë e varfëruar, shumë qytetarë jetojnë me qiratë  që marrin, një pjesë tjetër paguajnë shpenzimet e tyre me qiratë dhe një grup tjetër paguajnë këstet e kredive me to. Mospagesat e qirasë do të ulin jo vetëm të ardhurat për qiradhënësit, por gjithnjë e më shumë shqiptarët nuk do të kenë aftësi paguese…”, - thuhet në deklaratë. “Një qeveri e përgjegjshme, thotë PD-ja, duhet të gjejë burimet e nevojshme për të mbështetur bizneset e vogla përmes heqjes apo pezullimit të përkohshëm të taksave”.

Cila është zgjidhja në këtë rast sipas PD-së?

“Një kryeministër i përgjegjshëm duhet të ndërhyjë duke siguruar pagesën e 50% të qirasë për bizneset e mbyllura, siç po ndodh në Kosovë. Do të siguronte ndihmë ekonomike duke paguar një pjesë të rrogës së këtyre punonjësve siç bën Kosova.

Një qeveri e përgjegjshme duhet të heqë dorë nga vjelja e qirave shtetërore ndaj bizneseve. Duke i dhënë atyre mundësi që me ato para të paguajnë punëtorët e tyre…”

“Në buxhetin e shtetit janë sot 120 mln euro të destinuara për projektet korruptive të PPP-ve, janë mbi 50 mln euro në formë tenderash të dyshimtë që ju janë dhënë të klientëve të përhershëm. Edi Rama nuk pranon që të heqë dorë nga këto kontrata, së paku për një afat një vjeçar.

Mes shqiptarëve dhe oligarkëve Edi Rama ka zgjedhur këta të fundit, edhe në kushtet e tmerrshme në të cilën ndodhet vendi sot. Prandaj ka vendosur t’i hedhë kundër njëri tjetrit shqiptarët, që t’i shtyjë ata në një konflikt social dhe të shmangë përgjegjësinë e tij dhe detyrimin e tij ligjor për t’iu përgjigjur me fonde, detyrimeve për qeverinë që i përcakton qartë Ligji i Emergjencave”, thuhet ne deklaratë.

Sipas PD-së, Rama e ka për detyrim ligjor në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit për Fatkeqësinë Natyrore që të dëmshpërblejë çdo humbje të qytetarëve dhe bizneseve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë