Ngjarje

Djegia e pallatit tek ish-Parku, inxhinieri: Ndërtimi, pa normë. Të ngrihet Urdhri i Inxhinierëve

Nga Gazeta ‘SI’ - Djegia masive e një pallati të ri një ditë më parë në kryeqytet, nxiti debate për standardin e ndërtimit dhe nëse ishin zbatuar rregullat.

Sipas ekspertëve, fasada e jashtme e ndërtesës jo vetëm që nuk kufizoi zjarrin, por ndihmoi në përhapjen e tyre.

Për inxhinierin e ndërtimit Gëzim Beqaj, i cili thekson se nuk mund ta thotë me siguri përbërjen e fasadës pasi ajo duhet parë në dosjen e projektit, ose të policisë, përmend se është e qartë se cilado të jetë përbërja nuk përmbush standardin.

“Duke parë përhapjen e flakëve, mund të themi se materiali i përdorur nuk plotëson kriteret e nevojshme për ndërtim. Materiali duhet të jetë i tillë që të ndalojë përhapjen e zjarrit, të vetëshuhet”, thotë inxhinieri Beqaj për Gazetasi.al

Duke përshkruar 3 kategoritë e materialeve për veshje të fasadës, Beqaj përcakton se i pari është ai i polisterolit, nënprodukt i naftës, me kosto më të ulëta. Më pas leshi i gurit dhe i xhamit, i përbërë nga fijet dhe ai më i shtrenjti dhe më i sigurti, korpanel (corepanel) që prodhohet nga lëkura e pemëve pa asnjë kimikat.

Gëzim Beqaj, inxhinier ndërtimi, Gazetasi.al

“Pavarësisht se kë sjell për të ndërtuar, se mund të mos kesh shumë para dhe do të marrësh polisterolin, merr atë të cilësisë së mirë” sugjeron inxhinieri.

Ai përmend se një ndër arsyet pse shuarja e zjarrit ishte e vështirë është vendosja e materialit termik midis murit dhe pllakës, ku uji nuk mund të depërtojë. Sigurisht, përpos mungesës së sistemit të zjarrit në ndërtesë.

Inxhinieri Beqaj thekson se ndërtuesit kanë normativa për materialet që përdorin, sipas kritereve që përmbushin. “Nëse nuk i zbaton do të thotë se ke dalë nga ligji, nga norma. Si një shofer që del nga rruga. Kjo duhet të përmbushë një shkallë të caktuar të mbrojtjes, mund të bësh më mirë por jo më keq.”

"Rëndësi ka të zbatohet norma, unë sa shikoj me sy aty nuk është zbatuar. Pse? Unë nuk e di. Po të funksiononte norma zjarri nuk do të përhapej me shpejtësi. Ndodhi ajo që nuk duhej".

Inxhinieri bën apel për forcimin e urdhrit të inxhinierit si një formë disipline që do të rregullojë procesin e ndërtimit dhe standardin e të mbrojë dhe inxhinierët.

“Nuk kryhen gjërat gjithmonë me prokurori. Duhet të ketë disiplinë dhe informacion, të dyja shumë të rëndësishme. Këtë e zgjidh urdhri profesional. Aty trajnohen inxhinierët. Nëse bën atëherë gabime i bën me dashje. Urdhri të ndalon edhe ushtrimin e profesionit”, përfundoi Beqaj për Gazetasi.al.

Sipas studimeve britanike mbi ndërtesat, veshja e jashtme me përmbajtje polisteroli është e parekomandueshme, për shkak të djegshmërisë së lartë që përmban si material, duke u bërë i rrezikshëm për ndërtesa rezidenciale.

Veshja më e përhapur në Europë për fasadën e jashtme të ndërtesave rezulton ajo ACM, me përmbajtje të aluminit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë