Kosova

Dje vizituan Serbinë, sot në Kosovë. Kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut bëjnë thirrje për shtensionim të situatës

Kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut ndodhen sot në Prishtinë për të bindur palët t’i kthehen tryezës së bisedimeve.

Kryeministri Kosovës, Albin Kurti, i ka pritur në takim homologët, Mark Rutte nga Holanda dhe Xavier Bettel nga Luksemburgu.

Pas takimit ata kanë mbajtur një konferencë për media, ku kryeministri holandez, Mark Rutte, ka bërë të ditur se ka shprehur brengat e tij lidhur me tensionet në veri të Kosovës.

“Stabiliteti rajonal është proces tejet i rëndësishëm. Sot i kemi shprehur brengat tona për ngritjen e tensioneve, Holanda dhe Luksemburgu kërkojnë të normalizohen raportet ndërmjet dy shteteve”, ka thënë Rutte.

Më tej ai ka shtuar se dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i rëndësishëm për integrim në Bashkimin Evropian.

Përpara Kurtit ata u takuan edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në njoftimin për media thuhet se takimi trepalësh u fokusua në situatën aktuale politike dhe të sigurisë në vend, forcimin e marrëdhënieve trepalëshe, nxitjen e bashkëpunimit dhe diskutimin në fushat kryesore me interes të përbashkët.

“Presidentja Osmani tha se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit dhe se vendosja e rendit dhe e ligjit është në përputhje me investimin ndër vite të shteteve të BE-së me qëllim të promovimit, mbrojtjes dhe sundimit të ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka bërë të ditur Presidenca.

Ditën e djeshme në Beograd ata bënë thirrje për shtensionimin e situatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë