Futboll

Dje një dështak dhe i pastrehë, sot në kombëtaren angleze

Futbolli ka përrallat e veta, siç është edhe ajo e Tajron Mings, mbrojtësit 26-vjeçar të Aston Vilës, i grumbulluar në kombëtaren e Anglisë nga trajneri Southgejt. Deri pak kohë më parë ishte një i pastrehë…

Mings ka lindur në Bath, Somerset, më 13 mars 1993. Nuk e ka pasur aspak të lehtë të promovohet në Premier League, përkundrazi. Jeton me nënën dhe tre motrat. Kur ishte 8 vjeç, jeta e tij u bë shumë e vështirë. Prindërit e tij u ndanë dhe nëna, bashkë me katër fëmijët, u detyruan të jetonin në një vend për të pastrehët, në një dhomë me dy krevatë marinari dhe një divan. “Nuk kishim vend tjetër ku të shkonim, - ka treguar Mings për “Telegraph”. — E kujtoj gjithçka shumë mirë, ishte e tmerrshme, me banjo dhe dushe të përbashkëta, me njerëz jo edhe aq simpatikë. Qëndruam gjatë aty, gati një vit. Isha në shkollë fillore dhe nuk ishte një eksperiencë e bukur”.

Mings me fanellën e Aston Vilës. Gazeta Si, 5 shtator 2019

Në atë kohë Mings filloi t’i dedikohej futbollit. U regjistrua në akademinë e Southamptonit, por ishte shumë i dobët dhe në moshën 15-vjeçare e larguan. Tajron nuk u dorëzua, u testua te Kardifi, Suindon Taun, Portsmuthi dhe Bristol Rovers, por e refuzuan. Pas një burse studimi për futboll dhe orësh të tëra në palestër, luajti për Jet Taun, më pas Çipenhem Taun, në Southern League. Po luante mirë, por klubi i jepte vetëm 45 stërlina në javë dhe ai ishte i detyruar të punonte në një pab. Sot në kombëtaren angleze, deri dje mbushte krikot e birrës. Për një periudhë kohe tentoi edhe punën e zyrës si konsulent hipotekash dhe kredish. “Nuk e mohoj që në disa momente e kam vënë në dyshim të ardhmen në futboll”, - thotë Mings.

Për ta shëptuar, tamam siç ndodh në përralla, erdhi një ditë ish-mbrojtësi Rasell Osman, e pa të luante dhe ia rekomandoi Ipsuiç Taunit. Një orë lojë dhe më në fund kontrata e parë për Mings. Gjërat shkuan mirë më pas dhe në vitin 2015 kaloi te Burnemuthi në Premier League për 8 milionë stërlina. Por ende nuk kemi mbërritur në fund të përrallës. Debutoi në nivelin më të lartë të futbollit anglez ndaj Leiçesterit dhe këputi ligamentet e gjurit. Më shumë se një vit jashtë fushave. “Kur mësova diagnozën, u çmenda. Desha të lija gjithçka, u mbylla në vetvete dhe nuk doja të flisja me askënd”, - rrëfen mbrojtësi. Por gjeti kurajë dhe forcë për ta marrë veten.

Tajron Mings. Gazeta Si, 5 shtator 2019

Më 31 janar të 2019-ës kaloi në huazim për 6 muaj tek Aston Vila, shënoi golin e parë me fanellën e këtij ekipi më 8 shkurt, në barazimin ndaj Shefilld Junajtid. Në korrik u ble nga Aston Vila për shumën e 25.5 milionë stërlinave, gati 30 milionë euro. Dhe tani vjen grumbullimi nga trajneri i kombëtares angleze, Southgejt, për dy ndeshjet kualifikuese të Europianit ndaj Bullgarisë dhe Kosovës. Pret të debutojë me Anglinë, por edhe në këtë moment mund të thuhet fjalia e zakonshme e përrallave: “Dhe të gjithë jetuan të lumtur”. Jo vetëm ai, por edhe nëna, që i ka larë të gjitha borxhet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë