Ngjarje

Djali iu vra në Itali, babai i Klajdit me lot në sy: Shteti të më ndihmojë të sjell trupin. Gruaja ende s’e di!

Gazeta Si - Agim Bitri përpiqet të mbajë veten dhe lotët ndërsa flet për vdekjen tragjike të djalit të tij Klajdi.

I riu 23-vjeçar u vra dy ditë më parë në Itali në përpjekje për të ndaluar sherrin mes një miku të tij në rrugë dhe një algjeriani, i cili në mënyrë makabre e qëlloi me shtizë peshkimi në gjoks.

Nga Lushnja, babai i viktimës bën thirrje për t’i ndihmuar në sjelljen e trupit të të birit nga Italia në Shqipëri, sepse ata nuk kanë mundësi financiare për ta tërhequr.

LEXO EDHE:
Dinamika e vrasjes në Klajdi Bitrit në Itali, algjeriani e goditi, i nxorri shtizën nga gjoksi dhe shkoi në plazh!

Këtë të martë Agimi ka aplikuar për nxjerrjen e pasaportës, por i duhet edhe ndihma financiare. Ai ka bërë apel me lot në sy duke kërkuar dhe drejtësi për të birin që ishte i pafajshëm.

Ngjarja e ndodhur në një komunë të Ankonës merr përmasa edhe më tragjike, pasi Agimi thotë se bashkëshortja e tij nuk e ka mësuar ende vdekjen e të birit.

“Fatkeqësi e madhe! Nuk ia uroj as hasmit! Kërkoj drejtësi për fëmijën tim. Gruaja nuk e di ende, e kemi në spital, i kam thënë që është rëndë. Shteti të më ndihmojë të sjell trupin këtu. Autori të dënohet”, deklaroi babai për gazetarët.

Agimi kërkon ndihmë nga autoritetet që trupi të vijë sa më shpejt në Shqipëri.

“Gruaja akoma nuk e di, po e mbajmë nëpër spitale, po e mbajmë me gajret, nuk e di që fëmija ka vdekur. Kam dalë jashtë që mos të flas brenda dhe po bëjmë dy ditë që qajmë mbyturazi, pa e kuptuar gruaja dhe më thotë: Më çoni në Itali që të ngre çunin në këmbë thotë se unë i kam thënë se është në gjendje të rëndë. Unë jam nënë thotë, pse më mban në krevat. Jam në dilemë, nuk mundem më dot, në shtëpi nuk qaj dot…Shqiptarët të më ndihmojnë sa të munden, fëmija im të vijë, kërkoj drejtësi dhe dëmshpërblimin e djalit tim. I kërkoj ndihmë shtetit, kush mundet, se unë jam baba…Tani që po flas po dridhem, dua ndihëm të shtetit, dua sa më shpejt, i kërkoj kryeministrit, kush të mundet, s’flas më tepër”.

Por më të vështirë gjendjen e ka edhe vëllai tjetër, 18-vjeçari në duart e të cilit humbi jetën vëllai i madh.

“Ai po përballet nëpër komisariate të Italisë, nëpër funerale, është i vetëm. Unë s’kam mundësi që të iki, s’kam as pasaportën, nuk kam! I kërkova ministrit Taulant Balla, m’u përgjigj me respekt, më tha do mundohem personalisht. Kërkesa ime thjesht për një pasaportë, unë s’kam lekë që të iki me avion, me makinë duhen 3 ditë të iki”.

Klajdi Bitri, 23 vjeç, u vra dy ditë më parë nga një shtetas algjerian me shtizën e peshkimit në gjoks në përpjekje për të ndaluar një sherr mes vrasësit dhe mikut të tij italian për një sherr në rrugë për bllokimin e trafikut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë