Drejtësia

Djali i Faik Myrtajt kërkon rihapjen e hetimeve të 21 janarit për babain: Shpresoj te SPAK

Një ditë pas rihapjes së hetimeve për vrasjen e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës në 21 janar 2011, edhe djali i Faik Myrtajt kërkon hetime të thelluara për babanë e tij. Në një prononcim për mediat, Myrtaj është shprehur se shpreson që çështjen e babait të tij ta marrë në dorë SPAK.

“Për dy personat që është hapur dosja e 21 janarit, në dijeninë time për Aleks Nikën nuk ka pasur një hetim të thelluar dhe mesa kam marrë vesh ky është një hetim që ka bërë kërkesë policia. Shpresoj që çështjen e Aleks Nikës si dhe tre personave të tjerë ta marrë SPAK-u në dorë, – tha Renato Myrtaj. – Ne thjesht kemi bërë kërkesën në Gjykatën e Lartë. Akoma nuk kemi marrë përgjigje. Pres që çështjen ta marrë SPAK. Kjo është shpresa ime.

Djali i një prej katër viktimave para 1o vjetësh në protestën e opozitës te kryeministria, pohon se kësaj çështje do t’i shkohet deri në fund.

“Është çështje kohe dhe duhet besim që kësaj çështje do t’i shkohet deri ne fund. E kam thënë edhe më parë themelet e reformës në drejtësi sapo janë vendosur dhe kini besim të gjithë që kësaj çështje do t’i shkohet deri në fund”, – shton ai.

Të enjten, Prokuroria e Tiranës ka vendosur të rihapë hetimet për vrasjen pa autor të Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës më 21 janar 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Objekt i këtij hetimi janë dhe plagosja e dy shtetasve që janë qëlluar me armë por që nuk janë paraqitur në spital por janë larguar jashtë.

Sipas Prokurorisë, ekzistojnë prova të reja të cilat mund të zbardhin vrasjet e mbetura pa autor. Çështja është regjistruar një muaj më parë me akuzën e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë