Futboll

Divorci i papritur i Skënder Gegës nga Partizani-A do iki në Lindje e Mesme?

Skënder Gega nuk do të jetë më trajneri i Partizanit. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga “klubi i kuq” dhe tekniku tropojan nuk do të jetë më në krye të bankinës së kampionëve të Shqipërisë.

Në njoftimin e kësaj ndarje, klubi i Partizanit saktëson se arsyeja e kësaj ndarje me trajneri kampion vjen për aryse personale të këtij të fundit.

“Klubi i Futbollit Partizani, 16 herë kampion i Shqipërisë, falenderon trajnerin Skënder Gega për punën e kryer gjatë sezonit të tij të parë në krye ekipit. Trajneri Gega, falë kontributit, punës, përkushtimit dhe disiplinës arriti të krijonte një grup triumfues duke fituar respektin e lojtarëve, stafit, drejtuesve dhe tifozëve të shumtë të Partizanit. Klubi saktëson, se Gega ishte nën kontratë dhe për sezonin e ardhshëm, por për arsyet e tij personale ka vendosur të ndërpresë me mirëkuptim kontratën me klubin për të mos e vijuar punën e tij në drejtimin e ekipit. Presidenti Gazment Demi, Drejtori Olsi Rama, si dhe stafi e lojtarët dëshirojnë të falënderojnë Skënder Gegën, i cili pas suksesit si lojtar, dha kontributin e tij që trofeu më prestigjioz futbollistik në Shqipëri të kthehej në shtëpi pas 26 vitesh. Klubi duke falënderuar dhe një herë trajnerin Gega për emocionet dhe performancën e shkëlqyer që ekipi regjistroi në drejtim e tij, i uron njëkohësisht dhe suksese të mëtejshme në jetë dhe karrierë.”- shkruhet në njoftimin e “klubit të kuq”.

Edhe vetë Gega e ka konfirmuar këtë largim të tijin nga kampionët e Shqipërisë, duke zbuluar edhe aryset e këtij vendimi. Gega ka thënë se janë disa motive të tij personale që e kanë shtyrë të largohet nga Partizani.

“Prej një viti pata nderin dhe privilegjin të drejtoj Partizanin, ekipin ku unë fillova dhe e mbylla karrierën si futbollist. Këtë sezon në krye të pankinës të ekipit Partizani ka qenë periudha më e bukur që unë kam përjetuar si trajner, e mbushur me plot emocione dhe kënaqësi. Mbas 26 vitesh ja arritëm të rikthejmë trofeun kaq të munguar. Për arsye personale kam vendosur të mos të jem më në krye të pankinës.

Dua të falenderoj: Klubin Partizani, Presidentin Demi për besimin dhe mbështetjen e tij gjatë gjithë kohës. Drejtorin Olsi Rama për bashkëpunimin. Të gjithë stafin, ekipin për punën dhe mbështetjen, për kënaqësin që më dhuruan. Tifozët e mrekullueshem të Partizanit për mbështetjen. Gjithashtu dua të falënderoj mediat dhe gazetarët sportiv. Ju uroj të gjithë kolegëve të mi trajnerë suksese ! Me shume respekt, Skënder Gega.”- shkruan ish-trajneri i Partizanit.

Në janarin e këtij viti trajneri tropojan e kishte rinovuar kontratën deri në qershorin e viti 2020, por kjo ndarje e parakohëshshme detyron drejtuesit e Partizanit të kërkojnë një trajner të ri për sezonin e ardhshëm, por edhe për ndeshjet në eliminatoret e Ligës së Kampionëve

Tekniku 55-vjeçar mori drejtimin e Partizanit në verën e vitit 2018 dhe do të ishte dirigjenti i rikthimit të titullit kampion pas një mungesë 26-vjeçare.  Më herët është përfolur edhe për një ofertë të majme në drejtim të Skënder Gega nga një klub në Lindjen e Mesme, por edhe për këtë pistë ende nuk ka shumë detaje. 

Largimin e Gegës nga Partizani e kanë përshëndetur edhe disa prej futbollistëve kryesorë të “të kuqve” në sezonin që sapo u mbyll kanë falënderuar trajnerin, duke i dhënë atij një përshëndetje publike. Mes tyre, Asani, Telushi, Trashi dhe të tjerë kanë dedikuar fjalë të ngrohta në drejtim të trajnerit që fitoi zemrën e të gjithëve me punën e bërë te Partizani në një vit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë