Shkencë

Dita kur asteroidi mund të na godasë

Çdo dy vite, shkencëtarë, astronomë, ekspertë sigurie dhe përfaqësues të institucioneve të mbrojtjes civile, vullnetarë e qytetarë të përzgjedhur nga të vende të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës marrin pjesë në simulimin e një apokalipsi, siç është goditja e Tokës nga një asteroid.

Për këtë vit, eventi zhvillohet nga data 29 prill deri më 3 maj dhe risia është se momentet kyçe nga ky simulim do të mbulohen drejtpërdrejtë përmes rrjeteve sociale nga Agjencia Europiane e Hapësirës (ESA) me hashtagun @esaoperations.

Pjesëmarrësit në këtë “lojë” ndahen sipas roleve duke luajtur qeveri, agjenci hapësinore, astronomë apo mbrojtjen civile. Detyra e tyre është që të marrin vendime e veprime për të mbrojtur sa më shumë civilët, por jo sipas një plani paraprak të hartuar, por në bazë të ngjarjeve të momentit. Tërësia e këtyre vendimeve të çastit ndërton në fund të simulimit planin që është ndjekur. Plani, që sipas të gjitha projeksioneve shkencore ka arritur që të minimizojë sa më shumë tragjedinë vlerësohet si plani fitues.

Këtë radhë, simulimi është prodhim i ekspertëve të Zyrës së Koordinimit të Mbrojtjes Planetare të NASA-s, së bashku me Agjencinë Federale të Menaxhimit të Emergjencave të SHBA dhe u prezantua gjatë Konferencës së Mbrojtjes Planetare 2019. Kjo konferencë mbledh çdo vit ekspertët më të njohur të ESA-s, NASA-s dhe agjencive të tjera hapësinore, si dhe agjenci e organizata nga fusha të tjera të kërkimit shkencor.

“Hapi i parë për të mbrojtur planetin tonë është që të dimë se çfarë ka atje tej. Vetëm atëherë do të jemi mjaftueshëm në gatishmëri dhe mund të ndërmarrim hapat e nevojshëm për të parandaluar goditjen nga një asteroid, ose të minimizojmë dëmet e tij nëse na godet”, thotë Rudiger Jehn, kreu i Zyrës së Mbrojtjes së Planetit në Agjencinë Europiane të Hapësirës.

Deri në ditët e para të muajit prill, astronomët kanë zbuluar rreth 20 mijë asteroidë, orbita e të cilëve afrohet vazhdimisht me Tokën. Shkencëtarët thonë se zbulojnë mesatarisht 150 asteroidë të rinj në muaj dhe kjo shifër pritet të rritet me shpejtësi në vazhdim.

Teleskopi Flyeye

“Flyeye” dhe “Test-Bed” janë dy projektet më ambicioze të ESA-s. I pari është një teleskop i automatizuar, që nuk do të ketë nevojë për kontroll manual që përmes një programimi të avancuar do të skanojë natën qiellin dhe do të gjurmojë objektet në hapësirë. Teleskopi është në fazë ndërtimi dhe do të vendoset në Itali. Objektivi kryesor i tij është zbulimi i planeteve jashtë sistemit tonë diellor miqësore për jetën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë