Katar 2022

Argjentina kampione bote për herë të 3-të, penalltitë ndëshkojnë Francën

Gazeta Si – Argjentina shpallet kampione bote për herët të tretë në historinë e saj, pasi mundi Francën me penallti në finalen e Katar 2022. Koha e rregullt u mbyll 2-2, pas 30 minutave shtesë rezultatoi shkoi 3-3 dhe u deshën penalltitë për të shpallur fituesin. Argjentinasit ishin më të saktë dhe festa e gjitha për ta.

Lionel Mesi kompleton karrierën e tij të jashtëzakonshme me trofeun më të rëndsishëm dhe tani krahasimi me Maradonën nuk do ta torturojë më. Dy gola për të në finalen e sotme. Francës nuk i ka mjaftuar Kilian Mbape, autori i të tre golave, 2 me penallti, kurse tjetri për kopertinë.

Në Losail ishte një ndeshje e çmendur, që përfundoi 7-5 pas penalltive. Dopietë për Mesin dhe triplet për Mbape, ndërsa golin tjetër për Argjentinën e shënoi Di Maria. Te penalltitë gabuan Koman dhe Tçouameni për francezët, duke i dorëzuar kështu trofeun e Kupës së Botës Argjentinën dhe Mesit.

Argjentina e nisi ndeshjen me shumë agresivitet, duke bërë presing lart dhe duke e bërë Francën të vuajë për të dalë përpara. Pas disa tentativash të amerikano-jugorëve, Di Maria arrin të fitojë një penallti të diskutueshme në minutën e 23-të, që Mesi e kthen në gol dhe 1-0.

Franca nuk arrin të reagojë dhe në një kundërsulm të shpejtë merr edhe goditjen e dytë. Mesi për Mak Alister dhe ky i fundit për Di Marian, që përpara Loris gjuan saktë dhe e dërgon topin në rrjetë. Shpërthen në lot Di Maria pas golit, kurse Deshamp nuk pret por ndryshon sulmin pa u mbyllur pjesë e parë. Në fushë Turam dhe Kolo Muani në vend të Dembele dhe Zhiru.

Në pjesën e dytë vazhdoi me dominimin e lehtë të Argjentinës, që krijoi sërish raste, por pa mundur të finalizojë. Deeshamp hedh në fushë edhe Koman dhe Kamavinga. Ndeshja merr një kthesë të beftë 10 minuta para fundit, kur Franca fiton një penallti me Kolo Muani dhe Mbape shkurton në 2-1. Dhe vetëm 2 minuta më pas ai vendos baraspeshën me një gol spektakolar. Gjuajtje fluturimthi me të djathtën dhe 2-2.

Trajneri Skaloni preferoi të bënte vetëm një ndërrim gjatë 90 minutave dhe freskoi ekipin sapo nisi koha shtesë. Skuadra e tij pati një dominim të lehtë dhe Mesi shënoi edhe golin e tretë, duke çuar në rrjetë një top të grushtuar nga Loris. Por nuk përfundon me kaq, sepse Franca barazon me një tjetër penallti të realizuar nga Mbape dhe 120 minuta mbyllen 3-3.

Gjithçka vendoset nga ruleta e penaltive, ku Emiliano Martinez priti gjuajtjen e Koman, ndërsa Tçouameni goditi shtyllën. Portieri argjentinas ishte vendimtar edhe me një pritje në sekondat e fundit ndaj Kolo Muanit. Argjentina i shënoi të 4 penalltitë që gjuajti dhe u shpall kampione bote.

Episodet

118' - Franca fiton një penallti, pas një prekjeje të topit me dorë nga një mbrojtës argjentinas. Mbape i saktë sërish dhe 3-3.

109' - Mesi shënon golin e dytë personal dhe të tretin për Argjentinën, pasi shtyn në rrjetë një top të grushtuar nga Loris, pas gjuajtjes së Lautaro Martinez.

82' - Barazon Franca me Kilian Mbape. Sulmuesi gjuan bukur në zonë me të djathtën dhe shifrat barazohet në 2-2.

80' - Franca fiton një penallti, që Mbape e kthen në gol. 2-1

36' - Argjentina shënon edhe golin e dytë. Kundërsulm i shpejtë nga e djathta, Mak Alister gjen saktë Di Marian, i cili mposht Loris dhe 2-0.

23' - Di Maria fiton një penallti pas ndërhyrjes së Dembele në zonë. Mesi nuk fal dhe kalon Argjentinën në avantazh, 1-0.

Argjentinë-Francë 3-3 (4-2 penalltitë)
Argjentina: E.Martinez, Molina, Romero, Otamendi, Taliafiko, Fernandez, De Paul, Mek Alister, Di Maria, Mesi, Alvarez. Trajner: Lionel Skaloni.
Franca: Loris, Kunde, Upamekano, Varane, T.Hernandez, Tçouameni, Rabiot, Grizman, Dembele, Mbape, Zhiru. Trajner: Didier Deshamp.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë